Bumerangu “Made in BE”
“Preseurop”
Gian Paolo Accardo*
Sigurisht që nuk mund ta qortojmë BE-në si të përkorë kur bëhet fjalë për shpalosjen e mjaft nismave të ndërmarra prej saj. Kohë më parë, Komisioni Evropian(KE) hodhi në publik videoklipin “The more, the strong”, me qëllim nxjerrjen në pah të dobive që përfitohen nga hapja dhe zgjerimi i BE-së.
Vendin parësor në këtë video e zinte një grua lëkurëbardhë që të sjell ndërmend Uma Thurman-in te filmi “Kill Bill”, e që përballet me tre agresorë – një kinez, një indian e një brazilian – duke hequr picirin për t’i qetësuar. Më pas, gruaja dhe 11 klonet e saj u shndërruan në yjet e flamurit europian. Videoja përmbyllet me refrenin “The more we are, the strong we are”( “Sa më të shumtë, aq edhe më të fortë”).
Problemi në këtë rast qëndron te fakti se interneti nuk ta ofron mundësinë të përzgjedhësh publikun të cilit i drejtohesh, e brenda pak orëve, videoja u përball me një lumë kritikash, kryesisht nga lundërtarët e internetit, por edhe nga lexuesit e shtypit të shkruar. Nën akuzën e nxitjes së racizmit dhe seksizmit, materiali filmik u tërhoq nga “Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit” të BE-së, që nga ana e saj pranoi fajin, madje duke kërkuar edhe ndjesë publike.
Thuhet që gabimi i pranuar është gjysmë i falur. Gjithsesi, çështja në fjalë ofron mundësi të ndryshme përsiatjeje si për formën ashtu edhe për përmbajtjen. Forma nxjerr dukshëm në pah problemet që has BE-ja kur i përqaset europianëve. Detyra është e vështirë, ngaqë bëhet fjalë për t’u bërë e kuptueshme për afro 500 milion persona që nuk flasin të njëjtën gjuhë (si në kuptimin burimor të fjalës ashtu edhe në atë figurativ) e që rëndom, institucionet europiane nuk ua ngrohin fort zemrën(sipas të dhënave të euro barometrit, 31% e europianëve kanë një qasje pozitive ndaj BE-së, ndërkohë që 28% e tyre e vlerëson me nota negative.
Në lidhje me përmbajtjen – siç theksonte Annika Ström Melin nga faqet e “Dagens Nyheter”-it(e përditshme suedeze) – videoja dëshmon prirjen e udhëheqësisë europiane për t’ia faturuar armikut të jashtëm shkaqet e krizës ekonomike. “Orvatja për të shtrënguar radhët e BE-së duke e shkarkuar tek të tjerët barrën e përgjegjësisë është një huq i vjetër dhe që paraqet rrezik”[…] Europa ka dalë zbuluar karshi konkurrencës globale, me Kinën në krye, dhe BE-së i intereson mjaft të mbetet e bashkuar, duke përfituar nga tregu i njësuar e duke folur me një zë të vetëm”.
Por pikërisht këtë hap BE-ja vijon të mos e hedhë. Vrazhdësia e qeverive europiane kundrejt shteteve te reja që synojnë hyrjen në BE, si dhe përçarjet përballë krizës financiare, të bëjnë të mendosh se mesazhi për hapje e bashkim u duhet dërguar fillimisht vetë atyre.
*) Gian Paolo Accardo, gazetar italo-hollandez i lindur në Belgjikë. Drejtor i shumëgjuhëshes europiane “VoxEurop”. Gazetar i të përjavshmes franceze “Courrier International” dhe korrespondent i Agjencisë së lajmeve “ApCom”, Paris.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


