Bushati flet për klanet brenda PS-së: Ka luftë të egër vrasëse!

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, ka komentuar situatën në të cilën ndodhet Partia Socialiste.

Ai ka lënë të kuptohej se brenda kësaj force politike ka një luftë shumë të egër dhe madje “vrasëse” për karrierë. Ai nuk mohoi se brenda kësaj partie, ka klane të cilat janë në luftë me njëra-tjetrën.

“Nuk dua të bëj as naivin, as të bëj të paditurin, por e kam thënë shpesh që kur vjen puna për PS-në, nuk jam në pozicionin e analistit, jam në pozicionin e protagonistit për sa kohë unë militoj në PS. Nëse ju u referoheni luftërave të brendshme që bëhen për ide apo çështje të caktuara, ato ndodhin në tërë botën. Nuk ka dalë edhe shprehja e famshme që thotë që në politikë dhe në karrierë akademike, ka një luftë shumë të egër, vrasëse për karrierë, në këtë pikë nuk duhet parë as si forca e parë, as si forca e fundit”, u shpreh Bushati.

Në fund të intervistës, Erla Mëhilli i kujtoi atij se nuk e kishte harruar që është edhe socialist dhe se nuk e ka ftuar si analist, duke e pyetur se do i jepte ndonjë këshillë publikisht Ramës.

Por Bushati u përgjigj se gjë të tillë nuk do ta bënte publikisht por direkt përballë kreut të qeverisë.

“Kam pasur me Edi Ramën një raport njerëzor edhe para se të futesha në politikë, edhe gjatë kohës që kam qenë ministër dhe aktiv në politikë dhe besoj edhe tani si politikan jo aktiv. Po të kisha një këshillë, s’do ja jepja publikisht por direkt atij…”, tha ai.

Sa i përket pyetjet se “A ndihet i përfaqësuar në PS?”, ai tha e ka pasur momentet që janë marrë vendimi pa pëlqimin e tij, po theksoi se ky është proces që përballen të gjithë ata që janë politikë.

“Natyrisht që PS-ja, është një nga dy pasuritë kryesore kombëtare përsa i përket çështjeve politike, flas gjithmonë, së bashku me Partinë Demokratike. Janë dy parti që kanë kaluar sfida dhe do të përballen me sfida, kanë ulje-ngritjet e tyre, ka politika të caktuara të cilat, edhe kur kam qenë në qeveri apo në krye të punëve të vendit, mund të mos kenë përfaqësuar 100%, vullnetin tim apo bindjen time, por në politikë dhe në një parti politike ka gjithmonë shumicë dhe pakicë, ka dhe vendime të cilat jo domosdoshmërisht mund të mos përfaqësojnë, mund të mos të bëjnë që të bëjnë të ndihesh mirë. Mendoj që që ky është një proces që përballen të gjithë që janë në politikë. Ka pasur çështje që janë bërë me debate dhe në fund është marrë një vendim, ka pasur çështje që nuk kam qenë dakord. Mund të mos ndihesh mirë, apo 100% i përfaqësuar me atë vendim që merret”, u shpreh Bushati

Publikuar nga Publik Media