‘CNN’, ‘A2’ apo ‘ERTV’? Pikëpyetjet e një ekrani dhe bojkoti i opozitës
Pas pak ditësh në listën e kanaleve televizive shqiptare, do të shtohet një tjetër media e cila vjen nën makiazhin e një media prestigjioze ndërkombëtare siç është gjiganti amerikan CNN.
Bëhet fjalë për televizionin informative A2, me pronar biznesmenin Bashkim Ulaj. Normalisht, hapja e një media të re aq më tepër e një ekrani televiziv është një lajm normal në tregun e mbipopullor audio-viziv shqiptar, por asgjë e padëmshme nëse misioni do të ishte informimi i paanshëm dhe i drejtpërdrejtë për shikuesin.
A do të jetë A2 një ekran i lirë?
Liria në Shqipëri, sot më shumë se kurrë ka kosto, aq më tepër për një media, e sidomos për një media vizive. Por siç thotë një shprehje, ‘nuk ka një mundësi të dytë për të dhënë impresionin e parë’. Dhe A2 nuk e fsheh aspak ambicien se çfarë vendi do të zërë në tregun mediatik shqipar.
Edi Rama, kumbar i një media të lirë e të paanshme?!…
Pak ditë më parë, në vigjile të nisjes së transmetimeve të televizionit më të ri në treg ‘A2’, pronari i saj Bashkim Ulaj, një nga biznesmenët më aktiv të tenderave që lëshohen pa hesap prej disa vitesh nga qeveria e Edi Ramës, organizoi një mbrëmje gala ku i ftuar nderi ishte zgjedhur dhe si i tillë nuk mungoi aspak FortNaltgjatësia e tij, Edi Rama. Kumbari i televizionit të Bashkim Ulajt, ishte vetë kumbari i termit ‘kazan’ për median si nocion. Kjo ngjarje e cila nuk shënjoi ndonjë momentum të veçantë në kohën kur ndodhi, në fakt e meriton një dekriptim.
Tenderat e ‘Gener 2’
‘Gener 2’ është sot nën akuzë si një nga kompanitë që po shkatërron pa mëshirë një nga bukuritë natyrore më mbresëlënëse të Shqipërisë, Parkun Kombëtar të Valbonës.
Nën presionin sistematik të parave dhe pushtetit që Bashkim Ulaj ka siguruar sidomos në raport me Kryeministrin Edi Rama, asnjë gjykatë nuk është në gjendje të japë një vendim ndalues të punimeve për ndërtimin e një seri hidrocentralesh në luginën e Valbonës, dhe si pasojë, ajo që njihej si perlë e alpeve shqiptare, degraduar në një gropë septike betoni i e cila që përmes futjes së ujit në tuba, do të prodhojë miliona të tjerë për atë që PD e ka listuar në kategorinë e oligarkëve të cilët do të japin një ditë shpjegime për veprat e tyre korruptive në bashkëpunim me qeverinë e Edi Ramës.
Por jo vetëm.
E vërteta është që leja është dhënë gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Berisha, por aftësia e Bashkim Ulajt për të përfituar gjithmonë nga kryeministri i radhës, është e patjetërsueshme. Kompania ‘Gener 2’ është fituesi edhe një tjetër tenderi multimilionës për ndërtimin e rrugës Thumanë-Rrogozhinë, dhe që është projekt nga ato me 20 milionë euro km, ose e thënë ndryshe 72 km, me vlerë 900 milionë euro.
Vlen të përmenden këto dy projekteve multimilionëshe që ‘Gener 2’ i janë besuar në 5 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, për të patur një ide se çfarë derexheje do të ketë televizioni privat i Bashkim Ulajt ‘A2’ me makiazhen e shtrenjtë-paguar CNN.
Pse i duhet Edi Ramës një media e re?
Edi Rama duket se është i neveritur me ekranet-kliente të vjetra Top Channel, Klan TV dhe Vizion Plus. Thënë kjo të 3-ja ekranet e sipërpërmendura i përputhen thuajse cdo ditë termit denigrues që Edi Rama përdor për mediat kur i quan ato si ‘kazan’.
Mizat mediatike që prej 5 vitesh i janë ngjitur Ramës si m… pas këpucës, duket se e kanë hazdisur më shumë sec duhet kryeministrin që tërheq karrocën, dhe ky i fundit ka vendosur të përdorë një kamzhik të ri, jo si ato që e fshikullojnë Edin ndonjëherë për pak tagji, por si ato që ku ai e merr në dorë e u bie të gjithëve pa mëshirë.
A2 është ‘ëndrra amerikane’ e Edi Ramës jo si CNN që i është kundërvënë me të gjithë arsenalin Donald Trump, por është Edi Rama që do të mbajë në dorë A2-shin e Bashkim Ulajt si jatagan për ta vërvitur si ti dojë qejfi në mendjen e shqiptarëve. Makar si konkuistadorët qëmoti që u vunë pasqyrat para syve indigjenëve (në këtë rast neve shqiptarëve). Rezultati dihet, neve do të na mbetet pasqyra, ndërsa Edi Ramës, Bashkim Ulajt& Co…, ari i Shqipërisë.
Si përfundim, në ekranin e ri mos u habisni kur zërat kundër opozitës të forcohen, e lëvdatat për qeverinë të lëvrijnë. Kjo vlen edhe për ata që e do të habiten fort duke e ditur se po shohin televizionin e atij…, të Bashkim Ulajt!/Syri.net
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



