Çuçi, ligj penal për të mbrojtur kufirin Francë – Angli?! Mbrojini shqiptarët se ju urdhëron Kushtetuta, o pusht-etarë!
Nga Ylli Manjani, jurist, ish-Ministër i Drejtësisë.
Më tërhoqi disi vëmendjen njoftimi publik i Bledi Çuçit, sipas të cilit “shqiptarët që kalojnë me gomone nga kufiri i Francës për në Angli do dënohen në Shqipëri me 4 vite burg”.
E mora si shaka vere, madje diku edhe komentova me shaka, “po të mos shkojnë me gomone janë në rregull domethënë?!”. Por prapë idea se mund të dënosh shtetas shqiptarë që nuk kanë shkelur asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë në territorin e saj nuk mund të mos analizohet.
Rrëmova në Kushtetutë si fillim dhe ndesha nenin 8 të saj ku thuhet: “Republika e Shqipërisë mbron shtetasit e saj me banim jashtë territorit..” Pra Republika i mbron, por Çuçi dënon?! Sikur nuk shkon!
Po i lë mënjanë sensibilitetet që burojnë nga analiza e shkaqeve pse shqiptarët ende rrezikojnë nëpër gomone. Dua të analizoj vetëm aspektin ligjor.
Ligjet e Shqipërisë, ashtu si ligjet e çdo vendi tjetër nxirren e zbatohen në territorin e saj. Ky është parim i njohur i drejtësisë botërore.
Pikërisht për shkak të këtij parimi, bota ka shpikur ekstra-territorialitetin, pra harmonizimin e zbatimit të ligjeve pavarësisht territorit. Por parimi i ligjit të shtetit në territorin e tij është ende solid.
Domethënë, ta thjeshtoj pak, nëse një shtetas shqiptar shkel një ligj në një shtet tjetër, ai dënohet për shkeljen në atë shtet sipas ligjeve të tij dhe jo në Shqipëri,sepse shkeljen nuk e ka bërë këtu.
Pastaj vuajtja e dënimit mund të bëhet edhe këtu, por nuk mund të dënohet këtu për një shkelje që se ka bërë këtu.
Pra ata të gomoneve kanë shkelur ligjet e Francës ose të Anglisë, jo ligjet e Shqipërisë. Ata janë të dënueshëm nga ligjet e atyre vendeve për shkeljet që mund të kenë bërë. Ata shtetas nuk kanë shkelur rregullat e kalimit të kufirit Shqiptar ndaj nuk ke se si i dënon.
Si ti dënosh këtu, pa u dënuar në vendin ku kanë bërë shkelje?!!! Me çfarë procesi ligjor që të jetë i rregullt? Me çfarë ligji?
Tani çfarë propozon Çuçi, një ligj penal në Shqipëri që mbron kufirin detar Francë-Angli?! Seriozisht?! Në cilin standard botëror e bazojnë?!
Vetëm shtetet pushtuese imponojnë ligjet e tyre në një shtet tjetër. Por imponojnë ama… Mbrojini shqiptarët se ju urdhëron Kushtetuta dhe jo kufijtë e botës, o zotërinj pusht-etarë!
I mbrojnë vetë kufijtë ata. Ruani kufijtë tanë, se i keni han pa porta
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



