E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Darka e papaguar e katër adoleshentëve italianë në Berat…
Sot

Darka e papaguar e katër adoleshentëve italianë në Berat…

Lutfi Dervishi

Një darkë në restorantin e njohur Guva në Berat, prodhoi më shumë “lajme” dhe pëlqime se fletë-arrestet e SPAK për 8 ish- zyrtarë të përfshirë në dosjen e sterilizimit.

Katër adoleshentë italianë, të qeshur dhe me bollëk energjish, shijuan kuzhinën shqiptare, komplimentuan stafin për cilësinë dhe kur erdhi radha për të paguar, u larguan fshehurazi me ngut nga restoranti. Fatura e papaguar, 80 euro!

Stafi i restorantit mbeti i hutuar, jo vetëm nga largimi i beftë, por edhe nga guximi i të rinjve.

Stafi postoi një video të shkurtër në rrjetet sociale ku tregonte adoleshentët duke u larguar nga restoranti.

“Stafi ynë i uron këtyre “zotërinjve” italianë pushime të mbara dhe me lekët e PAPAGUARA në restorantin tonë bëjnë diçka të mirë!!!”.

Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme. Me shumë se humbjen financiare, postimi shpreh zhgënjimin nga sjellja  e adoleshentëve.

Portalet me shpejtësinë e zjarrit të korrikut në një pyll me shqopa, e morën këtë “ngjarje” dhe e “zbukuruan” me tituj të bujshëm, përgjithësues e denigrues.

Rrëfimi u zhvendos me shpejtësi nga një akt minor keqbërje, në një narrativë më të gjerë.

Ndërsa veprimi i të rinjve është i qortueshëm, media në vend të penelit, mori në dorë një furçe të madhe për të pikturuar me tituj një popull dhe një vend të tërë  dhe ke? Italinë,  atdheun e 700 mijë emigrantëve shqiptarë ndër vite.

A mundet një incident i izoluar të mbushe boshllëkun me lajme të një ditë të nxehtë gushti?

Mediat sociale njihen për sensin e sensacionalizmit dhe polarizimit, por portalet me ndikim ne opinion mund të bënin kujdes për të mos rënë në kurthin e përgjithësimeve dhe stereotipeve.

Ndoshta vetë restoranti mund të shërbejë si katalizator për të ndrequr shijen e titujve bombastik.

Jam kurioz nëse restoranti do të postojë “shkruajtëm për 4 adoleshente italiane dhe jo për turistët italiane”, a do të bëhet lajm po aq viral sa video?

Media ka fuqinë për të formësuar perceptimet, për të ndikuar në debate dhe për të krijuar apo zhbërë stereotipet. Ndonëse akti i katër të rinjve ishte i gabuar, ai mund të jetë edhe një kujtesë se një ngjarje e vetme nuk mund të përgjithësojë njerëzit dhe vendet. Nuk mund të lidhet pylli me një litar…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.