Denoncim/ Ndërtim mbi trotuar në Ali Demi, qytetarët:
Hapësira publike po zaptohet me bekimin e njësisë administrative
Një denoncim i rëndë për një rast të dyshuar të zaptimit të hapësirës publike dhe abuzimit me detyrën ka mbërritur në redaksi, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po administrohet territori në një nga lagjet më të populluara të Tiranës.
Sipas denoncimit, skandali po zhvillohet në zonën e Ali Demit, konkretisht në rrugën “Kristaq Cipo”, në territorin e Njësisë Administrative nr. 1. Denoncuesit pretendojnë se mbi trotuarin publik, poshtë një pallati, ka nisur një ndërtim i ri, duke zënë hapësirën e dedikuar për këmbësorët.
Në denoncim përmendet edhe emri i administratores së Njësisë Administrative nr. 1, Trëndelina Jaku, për të cilën ngrihen pretendime se ka lejuar ose toleruar këtë situatë. Këto janë pretendime të denoncuesve dhe nuk përbëjnë një konstatim të provuar.
Rruga “Kristaq Cipo” konsiderohet një nga segmentet më të ngushta të zonës së Ali Demit, ku në shumë raste dy automjete e kanë të vështirë të kalojnë njëkohësisht. Sipas qytetarëve, zënia e trotuarit i detyron këmbësorët të ecin në mes të rrugës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente dhe duke cenuar sigurinë e tyre.
Denoncuesit pretendojnë se punimet po vijojnë pa ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke ngritur dyshime mbi respektimin e legjislacionit urbanistik dhe mbrojtjen e hapësirave publike.
Përtej aspektit urbanistik, në denoncim ngrihen edhe dyshime për çështje financiare që lidhen me këtë investim. Sipas burimeve të denoncuesve, pas ndërtimit mund të fshihen transaksione për blerje pronash, ndërsa pretendohet se janë përdorur kredi bankare për të justifikuar burimin e fondeve. Deri në këtë fazë, këto mbeten pretendime të paverifikuara dhe nuk ka një konfirmim zyrtar nga institucionet kompetente.
Rasti ngre nevojën për një verifikim të plotë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Bashkia e Tiranës dhe organet e tjera përgjegjëse, për të sqaruar nëse ndërtimi është pajisur me lejet e nevojshme, nëse është cenuar hapësira publike dhe nëse ka elemente që kërkojnë hetim administrativ apo penal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



