Deputet Alketi dhe niveli mediokër që na përfaqëson politikisht
Denis Dyrnjaja
Gafa skandaloze e deputetit socialist Alket Hyseni që përdor termin autik në mënyrë pexhorative për të simbolizuar të keqen tregon nivelin mediokër që kemi në përfaqësimin politik. Si ky deputet janë shumica, që nuk kanë as standardet më minimale të kulturës, dijes dhe nivelit qytetar për të qenë përfaqësues të njerëzve dhe aq më shumë për të mbajtur titullin ligjbërës apo ligjvënës. Gjuha parlamentare dhe politika në tërësi është e nivelit mediokër dhe kryesisht diskriminuese e fyese. Ndaj rasti i Alket Hysenit thjeshtë sa gërvishti një copë kore të turpësisë që është zgjedhur të përfaqësojë popullin politikisht.
Sigurisht që deputeti në fjalë do të thotë e justifikohet me variantin që nuk e kisha krahasimin në sensin e drejtpërdrejtë por simbolika është tepër e rëndë, diskriminuese dhe e patolerueshme, ndaj duhet distancuar nga ky akt fillimisht nga vetë personi, i cili duhet të kërkojë ndjesë publike, ndërsa duhet të ketë edhe një reagim të forcës politike në te cilën ai aderon.
Sikurse ndodh në Gjermani, Francë, Britani, e kudo tjetër në raste të tilla, institucioni të cilit i përket, pra Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë një masë administrative ndaj deputetit Hyseni dhe minimalisht ta ndëshkojë me punë të detyruar pranë komunitetit të njerëzve me probleme të autizmit për të kuptuar së pari thelbin e gafës së tij dhe për të dhënë një mesazh social dhe publik se kemi të bëjmë me institucione dhe përgjegjshmëri institucionale.
Ky rast duhet te shërbejë edhe si një pikë reference për politikanët që t’i japin fund gjuhës dhe mënyrës vulgare të fyerjes dhe shpifjeve ndaj njëri tjetrit pasi sot janë modeli më i keq i shoqërisë për atë që përfaqësojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



