Dështim total i Prokurorisë me luftën ndaj korrupsionit me 20 dosjet
Kryeprokurori dështim total me luftën ndaj korrupsionit, ja 20 dosjet më flagrante që u mbyllën gjatë 5 viteve, si shpëtuan nga burgu ish-ministrat e PD
Kryeprokurori Adriatik Llalla, 1 muaj para se të dorëzojë detyrën, ka vendosur që të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të ndërkombëtarëve. Ndërkohë që vetingu po afron, kryeprokurori ka nisur një betejë me qeverinë, duke paralajmëruar se do të dërgojë pas hekurave të gjithë të korruptuarit. Një lëvizje kjo që padyshim mbështet nga të gjithë, por që duhej të kishte nisur kohë më parë. Ish-ministri Saimir Tahiri ka qenë shënjestra e parë e kryeprokurorit, edhe pse deri më tani ka dështuar me provat për arrestimin e tij. Por e gjithë kjo betejë i ngjason më shumë një lufte politike, sesa një lufte antikorrupsion. Dje, Krimet e Rënda deklaruan se do të ndjekin shembullin kroat dhe rumun, por nëse bëjmë një bilanc të punës së prokurorisë gjatë 5 viteve që në krye të saj ishte Adriatik Llalla, kemi një bilanc të zi. Dy dosjet më të mëdha, “21 Janari” dhe “Gërdeci” u mbyllën dhe askush nga autorët e vërtetë nuk shkoi në burg. Provat kanë qenë të forta, por Lulzim Basha dhe Arben Imami nuk u thirrën kurrë në prokurori. Por ka dhe shumë raste të tjera flagrante që janë mbyllur nga kryeprokurori.
Ministrat e Berishës i shpëtojnë burgut
Ajo që bie në sy është se të gjithë ministrat e ish-qeverisë Berisha i kanë shpëtuar burgut. Nga një kërkim i të gjitha denoncimeve dhe ngjarjeve më të bujshme, gazeta “SOT” ka arritur të nxjerr se janë rreth 70 dosje korrupsioni dhe krimi që janë në zyrën e Llallës, disa të mbyllura dhe disa të mbuluara nga pluhuri. Një pjesë e madhe e dosjeve janë çuar nga KLSH, të tjerat nga ILDKP, të tjerat nga ministrit, por asnjë nuk ka gjetur rrugën e hetimit. Pak para se të ngrihet SPAK, Llalla i ka mbyllur të gjitha dosjet. Së pari është rruga Durrës-Kukës, ku Lulzim Basha i shpëtoi gjykimit. Një tjetër akuzë e ngritur ndaj kreut të PD është 21 Janari, pasi Ministria e Brendshme ka bërë një padi se donte të helmonte protestuesit, por që Adriatik Llalla e mbylli si çështje. Po ashtu ka dhe dy kallëzime të tjera për abuzime me lejet e ndërtimit si kryetar bashkie i Tiranës. Pra, janë 4 akuza ndaj Lulzim Bashës, por asnjëherë nuk pati hetim serioz. Emra të tjerë janë Ridvan Bode dhe Sherefedin Shehu. Të dy të kallëzuar për skandalin me rrugën Durrës-Kukës, pasi morën kredi me interes shumë më të lartë se normalja. Edhe në këtë rast të gjithë ja hodhën paq. Një tjetër rast është privatizimi i OSSH. Ministria e Energjisë paditi disa zyrtarë, mes të cilëve Genc Rulin e Florion Mimën, por çështja u pushua. Rasti tjetër më flagrant është ai i Arben Imamit. Ai u padit 4 herë në prokurori dhe të katërta herët ja hodhi paq, edhe pse pati akuza për abuzime me tendera dhe me pajisjen e përgjimit. Një tjetër dosje që mbylli Llalla duke shpëtuar Berishën e Bashën është ajo për shitjen e detit. Organi i akuzës doli në përfundimin se nuk kishte vepër penale. Momentalisht prokuroria ka në dorë një dosje voluminoze për aferën me CEZ. Kuvendi ka paditur Sali Berishën dhe djalin e tij, por mësohet se dhe kjo dosje është drejt mbylljes.
Rasti i Fullanit
Adriatik Llalla është ai që i dha pafajësinë ish-Guvernatorit Ardian Fullani. Teksa gjykata e shpalli atë të pafajshëm, certifikimi u bë nga vetë kreu i akuzës, pasi nuk bëri asnjë rekurs për vendimin. Më 23 dhjetor 2015 Fullani fitoi pafajësinë dhe në Gjykatën e Apelit, ndërsa aty u rrëzua kërkesa e prokurorisë për dënimin e tij. Por zyra e shtypit tha se do bëhet rekurs, por që nuk ndodhi kështu, edhe pse e ka detyrim kushtetues. Madje Llalla në një intervistë televizive justifikoi veten duke thënë se nuk kishte prova të mjaftueshme për vjedhjen në bakë dhe skandalin me ish-hotel “Dajtin”. Në total janë rreth 70 dosje të bujshme që janë në zyrën e Llallës apo vartësve të tij, ku 15 i ka çuar KLSH, teksa në total janë 51 kallëzime, 47 i ka bërë ILDKP, ndërsa 11 dosje të tjera janë mbyllur nga Llalla. Pra në total janë 73 dosje me zyrtarë të nivelit të lartë që janë groposur nga Llalla.
Kallëzimet e KLSH
Disa nga dosjet që ndodhen në zyrën e Adriatik Llallës, janë dërguar nga kreu i KLSH, Bujar Leskaj. Vetëm në dy vitet e fundit, 2014-2015 janë kallëzuar në prokurori, përfshirë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rreth 300 zyrtarë, mes tyre edhe të nivelit të lartë. Këta të fundit shumica janë amnistuar, pasi Adriatik Llalla nuk ka marrë mundimin as t’i mbyllë e as të vijojë hetimet, por i mban të ngrira në zyrën e tij. Vitin që ne lamë pas në zyrën e tij kanë shkuar kallëzime shumë të bujshme, si padia për ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, i kallëzuar bashkë me Avokaten e Shtetit, Alma Hicka, për aferën e CEZ, që sipas KLSH iu shkaktuan shtetit 479 milionë euro dëme. Një tjetër kallëzim është për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, pasi dhe ai është amnistuar. Që në mars të 2015 në Prokurori KLSH ka bërë një padi ndaj tij për vjedhje me tenderin e “Tirana Olimpic” por dhe për bllokimin e doktoraturave. Por të gjithë dosjet janë mbyllur. Pra, edhe pse Llalla po teton që të bëjë bujë para largimit, ai do mbahet mend si kryeprokurori më i dështuar.
Kliti Topalli
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


