E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Disa arsye pse pas përgjimeve të BILD ndjehem i trishtuar”- Basha konferencë: Opozita nuk do të tërhiqet.
Politikë

“Disa arsye pse pas përgjimeve të BILD ndjehem i trishtuar”- Basha konferencë: Opozita nuk do të tërhiqet.

Pas 16 përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild, ku të përfshirë, mes të tjerësh janë edhe kryeministri Rama e ish-ministri Damian Gjiknuri, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë urgjente me mediat.

Basha thotë se do të duhej i çliruar sot, por në fakt ndihet  i trishtuar për gjendjen, që sipas tij, ka përfunduar populli dhe shoqëria.

Kreu i PD-së ka akuzuar Ramën si përgjegjësin kryesorë të situatës ku ndodhet vendi, ndërsa thekson edhe njëherë se opozita nuk do të tërhiqet nga aksioni i saj. Në përfundim të fjalës së tij, Basha ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së nëntë kombëtare të opozitës, që pritet të mbahet ditën e premte.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Si njeriu që për gjashtë vjet rresht është përpjekur çdo ditë t’i bëjë njerëzit të shikojnë atë, që sot është shpalosur hapur para syve dhe veshëve të gjithë botës, do të duhej që sot të ndjehesha mirë dhe i çliruar nga një barrë e madhe.

Sot, kur nuk ka më njeri që nuk është bindur se i vetmi projekt që ka patur Edi Rama është plaçkitja e Shqipërisë përmes pushtetit në ortakëri dhe aleancë me çdo keqbërës të mundshëm, nga ata të botës së malavitës tek ata të botës së mercenarëve publikë;

Sot, që çdo njeri e ka kuptuar se Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin për të blerë, frikësuar, dhunuar dhe ndëshkuar qytetarët, me qëllim manipulimin e votës,

Pikërisht sot, unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne.

Por unë sot ndjehem keq dhe i trishtuar.

Ndihem keq për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull. Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë.

Ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë.

Ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, sepse kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve do të thotë se në atë shoqëri nuk ka më liri dhe demokraci.

Së dyti, jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve:

Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur.

Në këtë shtet edhe nëse ka njerëz të ndershëm –  ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë.

Edi Rama është fajtori kryesor për gjendjen ku ne ndodhemi. Ai është dhe do të shënohet në historinë tonë si një figurë thellësisht kriminale. Historia nuk blihet me para dhe Edi Rama nuk e blen dot historinë as me paratë e gjithë drogës dhe të krimit të botës. Por Edi Rama nuk është shpjegimi i vetëm i gjendjes ku ne jemi. Dështimi për t’u përballur seriozisht me korrupsionin është një nga shkaqet që prodhoi Edi Ramën.

Mungesa e një ekonomie të vërtetë konkuruese dhe të lire është një nga shkaqet që prodhoi oligarkët e sotëm, të cilët, ndonëse nuk lindën me Edi Ramën u fuqizuan në mënyrë marramendëse në bashkëpunim me të. Mungesa e vazhdueshme e demokracisë partiake wshtë një nga shkaqet që na solli tek autokracia kriminale e Edi Ramës.

Mungesa e elitave moderne është shkaku që ka prodhuar media të kapura dhe intelektualë të shitur gati për ti shërbyer çdo qeverie por më shumë se kujt regjimit të Edi Ramës. Këto janë problemet tona. Edi Rama është thjesht krimineli i përsosur i këtij ambienti të mbrapshtë politik, ekonomik dhe shoqëror.

Për të mos e përsëritur më të keqen që po provojmë duhet të ndryshojmë thellësisht çdo gjë. Natyrisht, Edi Rama është kriminel me të cilin duhet të merremi para se të merremi me cdo gjë tjetër.

Pa largimin e Edi Ramës dhe të klikës kriminale që është sot në pushtet nuk do të ketë asnjë hap përpara Pa largimin e Edi Ramës dhe të klikës kriminale që është sot në pushtet nuk do të ketë asnjë hap përpara.

Pa nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që nën drejtimin e Edi Ramës frikësuan, kërcënuan, dhunuan, vodhën dhe blenë votën e shqiptarëve nuk do ketë asnjë përparim.

Unë dhe demokratët nuk mund të tërhiqemi dhe nuk do të tërhiqemi kurrë nga këto dy objektiva çliruese për Shqipërinë.

Sot, më shumë se kurrë ne ndihemi të sigurt në drejtësinë e kauzës tonë, dhe të rrugës që kemi ndjekur.

Ata që besonin se me këtë bandë grabitqare dhe kriminale në pushtet mund të dialogohej në Kuvend, mund të bëheshin reforma me konsensus, mund të përdoreshin rrugë institucionale, sot duhet të flakin tutje edhe iluzionin e fundit, që mund të kishin për metodën e bashkëbisedimit demokratik me Edi Ramën.
Sot është e qartë se largimi nga parlamenti dhe braktisja e zgjedhjeve farsë ishin vendimet e duhura.

Pa asnjë mëdyshje. Qëndrimi në këtë Kuvend dhe pjesëmarrja në zgjedhje farsë do të na kthente në fasadë të pushtetit të krimit.

Me krimin nuk mund të ketë dialog, nuk mund të ketë negociata dhe as nuk mund të bëhen lëshime. Ky është standart perëndimor.

Unë dhe të gjithë demokratët do t’i qëndrojmë deri në fund këtij standarti: Me krimin nuk ka negociota dhe marrëveshje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.