Drejtësia private e Edi Ramës
Aksioni i sotëm i forcave speciale të policisë për kontrollin e banesave dhe arrestimin e gjyqtarëve sepse ulën (në mënyrë skandaloze dhe me gjase korruptive) dënimin e Dritan Dajtit është një akt i rëndë jakobinian dhe fundi i drejtësisë. Drejtësia është procedurë. Jashtë procesit të drejtë nuk ka drejtësi. Ka arbitraritet dhe abuzim të pushtetit të drejtësisë, çfarë çon në padrejtësi.
Sado i padrejtë të jetë vendimi i gjyqtarëve, ai mund të sfidohet dhe ndryshohet vetëm përmes rrugës së drejtësisë dhe kurssesi përmes hakmarrjes ndaj gjyqtarëve, me veprime policore të urdhëruara nga ekzekutivi. Kjo është vetëm drejtësi private dhe për interesa private. Vendet kanë jo vetëm kod penal, por edhe kod të procedurës penale, pikërisht për të garantuar procesin e drejtë. Për më tepër, drejtësia bazohet në parimin se kushdo është i pafajshëm dhe duhet të trajtohet si i pafajshëm deri sa të provohet i fajshëm nga një proces i drejtë i drejtësisë.
Veprimi i sotëm i urdhëruar nga Kryeministri Edi Rama nuk ka qëllim drejtësinë por nënshtrimin e drejtësisë: Edi Rama kërkoi t’i tregonte sot çdo prokurori, çdo gjykatësi dhe çdo kujt tjetër që ai është zoti i drejtësisë në këtë vend dhe kushdo që bën diçka që atij nuk i pëlqen apo i prish punë do të ndëshkohet.
Për të kuptuar qëllimin e vërtetë të veprimit të sotëm të Kryeministrit mjafton të kujtosh se ai nuk lejoi për javë të tëra kontrollin e banesës së Saimir Tahirit dhe asnjëherë arrestimin e tij, se ai nuk lejon arrestimin apo kontrollin e banesave dhe pasurive të Dakos, Gjiknurit, ish-drejtorit të rrugëve dhe dhjetëra politikanëve të tjerë që akuzohen për krime më të rënda. Sepse kur drejtësinë e ka në dorë Edi Rama, është vetëm ai që cakton se kujt i kontrollohet shtëpia, kush arrestohet dhe kush duhet supozuar i pafajshëm e kush jo. Kjo është drejtësia e kapur nga Kryeministri, që përbën rrezik për çdo njeri në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



