Durrësi e Kavaja japin miliona në ditë për Klodian Zotin në Sharrë
Bashkitë e Durrësit dhe të Kavajës vijojnë të kenë prioritet pagesën e qindra milionë lekëve për koncesionarin e plehrave të Sharrës, megjithëse kompania private nuk kryen shërbimin e plotë.

Brenda një dite, në 28 mars, institucionet e drejtuara nga Emirjana Sako dhe Redian Krali kanë arkëtuar për llogari të kompanisë “Integrated Energy BV” shumën prej 235 milionësh lekë të vjetra ose rreth 200 mijë eurosh.
Bashkitë e Durrësit dhe Kavajës kanë nënshkruar kontratë me kompaninë koncesionare për të paguar 29 euro për depozitimin dhe incenerimin e çdo toni mbeturina.
Ndërkohë, prej vitesh, kompania off-shore me seli në Amsterdam, e krijuar nga biznesmeni në kërkim Klodian Zoto, nuk kryen procesin e djegies së plehrave.
Të dhëna të shumta publike kanë dëshmuar se shoqëria private nuk e ka ngritur ende impiantin e incenerimit të mbetjeve urbane, megjithëse paguhet prej vitit 2018 për këtë shërbim.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, publikoi një investigim të plotë pak javë më parë, nga ku u pa qartë se në landfillin privat nuk kryhet incenerim i plehrave, por as ndarja e tyre.
Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi në një raport të publikuar më herët gjatë vitit 2022 se shoqëria e krijuar nga Klodian Zoto nuk kryen djegien e mbeturinave, duke i shtuar kosto fiktive buxhetit të bashkive.
Aktualisht, në landfillin e Sharrës i depozitojnë mbetjet urbane bashkitë e Tiranës, Vorës, të Durrësit dhe Kavajës.
Të gjitha këto bashki paguajnë nga 29 euro për ton për një shërbim që nuk u afrohet i plotë.
Pavarësisht menaxhimit skandaloz të kontratës koncesionare, asnjë prej institucioneve qeveritare nuk ka ndërhyrë për të mbrojtur shpenzimin pa kriter të taksave të qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



