E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dy fjalë thatë për një çështje të njomë:  Uji, çesma, pusi dhe pusetat mendore
Sot

Dy fjalë thatë për një çështje të njomë: Uji, çesma, pusi dhe pusetat mendore

1. Viti 1991 – sapo kisha mbërritur në Itali. Kuptohet, kisha marrë me vete gjithë mbylljen mendore të një individi të rritur në një shoqëri “si në rrethim”. Kisha lënë çezmën e oborrit hapur (nuk ishte ujë i pijshëm por ishte ujë rrjeti gjithsesi. Me sahat matës kuptohet). Kalon një “vigile urbano” – shqip polic bashkiak, kalon për punë të tjera, dhe ndërkohë më tërheq vëmendjen për ujin që derdhej kot. Koka e mbyllur e shqiptares ju përgjigj: Ç’hall ke? Unë e paguaj! – Më erdhi një replikë, prej së cilës ende skuqem nga zori kur e kujtoj: “Zonjushë, nuk mjafton ta paguash! Uji është pasuri e përbashkët. Jugu ynë vuan mungesën e tij, pra ti nuk mund ta shpërdorosh edhe po ta paguash shpërdorimin”. Kaq! Kujt sot bërtet pse nuk po integrohemi ende në Europë, i lutem të mos e diskutojë çështjen se konsumi hidrik paguhet. Europa që doni, nuk të lë as ta shpërdorosh paçka se (s’diskutohet!!!) që e paguan.

2. Gjyshi im, ndjesë pastë, leu u rrit e u plak në një zonë të Tiranës, dikur e quajtur Mëhallja e Re por nga të gjithë e njohur si Rruga e Kavajës. Fotot historike kallxojnë se kjo rrugë qëmotit notonte në ujë (si pakashumë krejt Tirana). Kishte nga një vijë uji që shkonte teposhtë dyqaneve e njomte gjithkah. Ky idil u shua në fakt. Nga viti 1991 deri sa e lanë fare fuqitë, pra deri në 2009, unë mbaj mend tim gjysh që ngjitej me gjyma në taracë dhe mbushte depozitën me gjyma. Uji nuk arrinte të shkonte deri në taracë (një kat, vetëm një kat!!!) ngaqë ngjitur me gjyshin erdhi një lavazh privat, informal kuptohet e pa leje, që lante çdo gjë: nga makinat e kamionat e deri te tapetet. Dhe mendoni pak, unë isha Deputete e zonës dhe nuk munda dot t’ia mbyll (më thonte se e ka me ujë pusi e nuk me kallxonte asnjë leje për shpim dhe shfrytëzim pusi, pa folur që uji nuk ishte as pusi po rrjeti dhe kingu nuk paguante asgjë, por linte gjithë lagjen pa ujë). Gjysho, të paktën ti, po të ishe gjallë sot, e dij që do kishe marrë frymë i lehtësuar.

Uji është i të gjithëve. Ta paguash atë që konsumon është e padiskutueshme. Të mos e shpërdorosh edhe pse e paguan, të veçon nga barbarët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.