E dha televizori!
E dha televizori! Një shpre hje e njohur dhe e stërdëgjuar nga veshët e shqiptarëve, e thënë nga një organ tjetër: goja e shqiptarëve. Nga goja te veshi dhe nga veshi te goja, është një rrugëtim sa i shkurtër, po aq i gjatë. Ekzistojnë media që synojnë veshët, siç ka nga ata që synojnë gojën. Por ajo me e frikshmja është ajo që synon syrin dhe nëpërmjet tij (duke përfshirë edhe veshët), synon trurin njerëzor.
Kur shikon një gjë më zë dhe figurë, s’ke nga ia mban pa thënë me vete: “Ja! E tha televizori!”. Pra, është e vërtetë, lind problemi: A janë të vërteta të gjitha ato që thuhen në mediat vizive? Sa ndikojnë faktorët e jashtëm, që një lajm ta deformojnë ose ta kthejnë në antilajm?! Këtu vijmë te financimet, kapjet dhe “kazanët”. Është e kuptueshme që kazani do të nxjerrë produktin, në raport të drejtë me çka t’i i hedh brenda. N.q.s ti hedh mish të kontaminuar, tërë shikuesit kontaminohen. Në qoftë se ti hedh mjaltë, shikuesit do të lumturohen, pavarësisht mizerjes në të cilën jetojmë.
Unë mendoj se ky përbën një lajm të përditshëm. Nuk përbën lajm fakti që u përplas një makinë në një shtyllë. Nuk përbën lajm, lajmet e përditshme se djali vrau babanë, nusja vrau burrin dhe vjehrrën, komshiu vrau tetë veta dhe është në gjendje të mirë mendore, aksidenti la kaq të vdekur dhe disa të plagosur, që janë jashtë rrezikut për jetën. Ju që na i mbushët mediat tona me të tilla tmerre, nuk ju tmerron psikologjia e tmerrit dhe terrorit që po përhapni? Nuk ju vret ndërgjegjja se paratë e fituara kanë kosto shumë të lartë?! Ju lutem! Përdoreni pushtetin e katërt për mirë dhe jo për keq. Mos spekuloni me naivitetin e turmës! Kuptojeni! Jeni të përkohshëm, siç jemi të gjithë. Dhe epitafin mbi varr do të na e vënë të tjerët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



