E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edmond Spaho: Rama ndërhyn për të marrë kontrollin e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë
Politikë

Edmond Spaho: Rama ndërhyn për të marrë kontrollin e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë

Teksa ka nisur një proces i ri zgjedhor për drejtuesin e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje brutale në këtë proces, duke theksuar se nëpërmjet ministres së Financave, u anuloi procesi i zhvilluar një muaj më parë ku u shpall fituese Elisabeta Katiaj.

Nënkryetari Edmond Spaho theksoi se pas presionit të Ramës me anë të Vettingut, Gjykata Administrative anuloi në mënyrë absurde dhe antikushtetuese fitoren e zonjës Katiaj.

 

“Kontrolli qeveritar i kësaj organizate është qëllimi pse Edi Rama po ndërhyn me të gjitha mjetet. Presione dhe kërcënime u ushtruan ndaj Gjykatës Administrative, e cila pasi pranoi kërkesë – paditë e zonjës Katija, duke e shpallur fituese, iu anulua fitorja nga ministrja Denaj dhe kryeministri Rama”, theksoi Spaho.

Spahoi paralajmëroi se “çdokush që i bëhet krah në këtë vjedhje dhe krim mbi demokracinë është dhe duhet trajtuar njësoj si ai vetë, si armik i shqiptarëve dhe interesit publik. Askush nuk do të harrohet dhe as falet në orën e llogarisë që po afron”.

Deklarata e plotë e Spahos:

Babëzia për pushtet e Ramës nuk fal asnjë institucion të pavarur qoftë ai dhe jo i lidhur me shtetin drejtpërdrejt. Veglat e tij qorre veprojnë edhe mbi institucione si Dhoma e Tregtisë si dhe Bashkimi i Dhomave te Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Mbi 1 muaj më parë institucioni i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, zhvilloi zgjedhjet konform rregullave të statutit. Në garë morën pjesë dy kandidatë dhe konform rregullave, fituese u shpall zonja Elisabeta Katiaj.

Gjendur përpara këtij fakti dhe duke pasur frikë nga zgjedhjet si forma e vetme demokratike e përzgjedhjes në krye të një institucioni, Rama urdhëroi një operacion tërësisht kundërligjore. Ai angazhoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për të sulmuar procesin me një kërkesë antiligjore në favor të kandidates së tij.

Përballë këmbënguljes të mbështetur në ligje dhe procedura demokratike, institucioni i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë procedoi me shpalljen fituese të kandidates Katiaj.

E gjendur në minorancë votash kandidatja humbëse, dhe natyrisht në mbështetje të kryeministrit Rama, përdori ministren Denaj, e cila në shkelje të Ligjit për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë se Shqipërisë, ndërhyri brutalisht në proces.

Nën presionin brutal të personave të lidhur ngushtë me Edi Ramën, komisioni që shpalli fitues dhe vulosi zonjën Katiaj, u tërhoq.

Kjo kthesë e beftë e Komisionit, fsheh në thelb babëzinë për të kapur këtë institucion të pavarur që jo rrallë herë ka shprehur shqetësimet e bizneseve karshi politikave ekonomike të qeverisë.

Këto shqetësime janë paraqitur pranë raportuesve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Kontrolli qeveritar i kësaj organizate është qëllimi pse Edi Rama po ndërhyn me të gjitha mjetet.

Presione dhe kërcënime u ushtruan ndaj Gjykatës Administrative, e cila pasi pranoi kërkesë – paditë e zonjës Katija, duke e shpallur fituese, iu anullua fitorja nga ministrja Denaj dhe kryeministri Rama.

Gjykatësi vendosi që të mos merrte Sigurimin e Padisë duke ia hequr kësaj Gjykate këtë të drejtë.

Një vendim sa absurd aq edhe antikushtetues marrë nga presioni me vetting që Rama i bën tanimë çdo gjyqtari.

E gjithë kjo histori kriminale dhe antikushtetuese zbatohet për të kapur dhe mbytur çdo zë të pavarur nga një njeri që ka frikë dhe dhunon institucionin e zgjedhjeve kudo ku interesat e tij kërcënohen.

Njeriu që zhduku zgjedhjet nga partia që drejton, që zhduku zgjedhjet nga shqiptarët dhe i ktheu në votime moniste, duhet ndalur me çdo kusht e çdo mjet.

Çdokush që i bëhet krah në këtë vjedhje dhe krim mbi demokracinë është dhe duhet trajtuar njësoj si ai vetë, si armik i shqiptarëve dhe interesit publik.

Askush nuk do të harrohet dhe as falet në orën e llogarisë që po afron.

Zemërimi popullor nuk do kursejë askënd dhe pasuritë e askujt që sot kalëron me Edi Ramën por nesër e pret gremina dhe fundi i tmerrshëm i çdo bashkëpunëtori me krimin dhe tradhtari të interesit publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.