”Ejani në fshat” dhe parabola e mbretit lakuriq
Jonila Godole
Fjalimi i Gerta Lokut, një gruaje të re nga Mirdita në parlamentin shqiptar me titullin e thjeshtë “Ejani në fshat!” është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u etiketuar nga si një ndër fjalimet më emocionuese, më të sinqertë dhe më të drejtperdrejtë nga foltorja e parlamentit. (Për gjithë ata që kanë interes ta lexojnë të transkriptuar, e gjejnë më poshtë).
Duke e dëgjuar fjalimin e saj, mu kujtua përralla e „Rrobave të reja të Mbretit“, një parabolë e shkëlqyer nga Hans Christian Andersen. Të gjithë e shohin mbretin lakuriq, por askush nuk guxon t’ia thotë hapur, përkundrazi e urojnë për rrobat e bukura që gjasme ka veshur. Një situatë sa qesharake, aq edhe delikate. Këshilltaret e mbretit e shohin që mbreti është lakuriq, por nuk duan ta besojnë – si mund të kesh dyshim për shijen dhe veprimet e mbretit?! Nga ana tjetër nuk duan të duken budallenj sepse dy rrobaqepësit (mashtrues) thonë se magjia e stofrave qëndron në faktin se ato shfaqen të padukshme për këdo që nuk e meriton postin ose është budalla! Duke ndjekur këtë logjikë, ministrat e mbretit e përforcojnë edhe më të voglin dyshim që ai vetë mund të kishte, duke e lënë të dalë para popullit krejt lakuriq. Skena e pashembullt ndërpritet vetëm nga fëmija që tregon me gisht mbretin pa rroba, dhe pas tij dikur reagon edhe populli i mbledhur në shesh që më parë ka heshtur.
Zëri i Gerta Lokut ishte pikërisht si tregimi me gisht i fëmijës në përrallë. Ajo nuk tha asgjë që ne të tjerët nuk e dimë dhe nuk e mendojmë, por ajo shprehu atë që ne nuk kemi guxim ta themi gjithmonë publikisht nga frika se zëri jonë është pa pushtet, se mund të dukemi qesharakë në sytë e pushtetarëve, se grupet e interesit mund të na pengojnë dhe ndërhyjnë në bukën tonë të përditshme, etj, etj. Gerta është një vajzë e studiuar, nga artikulimi u duk po aq, madje më shumë e arsimuar sa një pjesë e parlamentit tonë, por mbi të gjitha ajo ka guximin t’i thotë hapur mbretit që nuk ka rroba!
Parabola e Andersenit e nxjerr njeriun të zhveshur, qoftë si individ, qoftë si kolektiv. Njerëzit kanë natyrisht frikë nga vlerësimet e të tjerëve, frikë që të duken jo kompetentë në sytë e të tjerëve, sidomos të mbretit dhe shpurës së tij. Por kur ata heshtin në grup, nuk ndërhyjnë dhe mbyllin sytë para një realiteti dhe një situate ekzistuese, atëherë kemi të bëjmë me një injorim pluralist kolektiv. Sa më gjithëpërfshirëse të jetë shoqëria në këtë heshtje, dhe sa më shumë të ndahet përgjegjësia mes individëve, aq më jetim do mbetet faji. Në përrallën e Andersenit, dy rrobaqepësit e maksimizojnë triumfin e tyre për shkak të statusit që kanë si mjeshtra të zanatit. Ekspertëve të fushës iu besohet më lehtë! Kur ata ia dalin të fusin në rrjetën e tyre edhe Mbretin me gjithë këshilltarë dhe ministra, influenca mbi popullin e thjeshtë bëhet mbizotëruese. Ndërsa ne sillemi si ministrat e Mbretit, Gerta Loku ka kurajon shoqërore të ngjitet në parlament, të mbajë një fjalim thellësisht politik, në mes të një mjedisi politik që faktin e sheh me teleskop.
Mbi të gjitha fjala e gruas së re nga Mirdita në parlamentin shqiptar peshoi rëndë edhe për një arsye tjetër. Ajo nuk i ngjante qarjeve dhe ankimeve të përhershme që politikanëve (mbretër) u dëgjojnë veshët përditë nga zgjedhësit e tyre. Gerta Loku skicoi me dinjitet punën e palodhshme dhe vetmohuese të fshatarëve dhe fermerëve në zonën e saj si të fliste për gjithë të tjerët si ajo, anembanë vendit. Çfarë ata kërkojnë, rrugë dhe ujë, është A-ja e një politike bujqësore që për një shtet si Shqipëria duhet të ishte thelbësore, dhe në këtë pikë politika i ka lënë ata 27 vjet në baltë. Pa mbajtur asnjë anë politike (“Ne atje në fshat punojmë me dorën dhe këmbën e djathtë, zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, e nëse ky parlament do të bëjë mirë atë për të cilën është zgjedhur të bëjë, duhet që secili prej këtyre organeve të bëjë funksionin që i përket…”) Gerta Loku i hedh dorashkën propagandës politike se gjoja Shqipëria qenkej shembull i zhvillimit turistik dhe rural në Ballkan. Nuk është ajo që ka nevojë për viston e parlamentit, por ky i fundit ka nevojë për zërin e saj të sinqertë që të mos humbasë legjitimitetin, kur së shpejti të tjerë zëra të ngrihen dhe të thonë hapur e pa frikë: “Mbreti dhe shpura e tij janë lakuriq!”
***
Më poshtë gjeni fjalimin e transkriptuar të Gerta Lokut në parlamentin shqiptar
“…braktis fshatin e tij, por ndoshta nuk ka dashur ta braktisë, atë vend, ato fshatra, ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën më fantastike të mundshme. Ejani ta shikoni, ejani në fshat se nuk ka vend ku hahet më mirë se në fshatrat tanë. Në doni bukë, kripë, ushqim e zemër, ushqime bio, ejani në fshat. Në doni qetësi e dashni, ejani në fshat, por do t’ju lutesha gjithsecilit të mos vijë me makinë të vogël, por të vijë me një fuoristradë sepse fshatrat, sidomos ata që nuk janë në akset rrugore kryesore, nuk shkon dot makina e atje ku nuk shkon makina, nuk shkon as jeta.
Fshatrat, sidomos ata të strukurit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë. Jepini rrugë dhe ujë fshatit dhe i keni dhënë zhvillim. S’kërkojmë asnjë tjetër, ujë dhe rrugë.
Unë kam ardhur këtu që të tregoj, pse jo, Gertën, por kam ardhur këtu të sjell edhe Kristinën. Kristina është një bashkëfshatarja imja. Besoj se gjithsecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë, e kanë nga një Kristinë në fshat. Ajo ka rrudha fisnike e të përzhitura nga dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit e ulet shumë pas tij. Ngrihet në mëngjez, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin, ngrihet dhe çon fëmijët në shkollë, ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë e ajo i përcjell në këmbë, shet qumështin në shishet e coca cola-s të lara me kujdes-sepse ky është fshati- shet ato 20 kokrra vezë, 3-4 kg rrush, domate jeshile, ato që kanë mbetur nga kopshti i mbjellë me lakra të zeza dhe presh që t’i ketë si rezervë për dimer. Shet ashtu Kristina e ulur në rrugë.
E po t’i thoni Kristinës se çfarë do t’i Kristinë të të japë shteti ty, ajo me shumë modesti do të thotë: “Unë dua ujë dhe rrugë”. Se ka dinjitet Kristina, nuk i kërkon asgjë tjetër shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. E unë do t’i shtoja kërkesave të Kristinës… ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase…e miq e shokë. E nëse ju e pyesni përsëri Kristinën: “Kristinë, ti kë do të votoje?”. Kristina thotë: “Unë do të votoj atë që më sjell rrugën”. Por Kristina e shkretë që kur ishtë bijë- themi në atje- në fshatin e të jatit, e deri sot që është grua në fshatin e të shoqit, Kristina votoi e rivotoi ata që rrugën nuk ia sollën kurrë. Kjo është Kristina ime, kjo është fshatarja ime.
E nëse do pyesni ju se ku është burri i Kristinës, ai ka punuar ca kohë në kantieret e Rilindjes urbane. Po presim që fshati të rilindë, atë presim ne.
Kur fshatari t’i kthehet fshatit të tij, atëherë politika ka bërë diçka madhështore për fshatin. Nuk është një proçes i lehtë dhe i shpejtë, por ne nuk shkojmë asgjëkundi, por ne do jemi këtu duke ndihmuar fshatin dhe Shqipërinë. Ka plot vështirësi fshati e Shqipëria, por kush thotë se ky vend nuk bëhet kurrë, e vret fshatin dhe Shqipërinë, na vret ne 1000 herë. Ky vend do të bëhet se i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë. Dhe ne jemi këtu!
Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë nevojë për pak llafe e shumë punë, të fortë e optimistë se kush mbjell e mbarështon, si bëjmë ne në fshat, e ka forcën dhe optimizmin në çdo punë të tij. Askush nuk mbjell nëse nuk e di se do të korrë e askush nuk rrit, nuk mbarështon, nëse nuk e di se do të rritë kecat e vegjël.
Duke u bazuar në eksperiencën time personale, modeste para jush, ju them se fshati nuk ka as politikë, nuk ka njeh parti, nuk njeh pozitë as opozitë.
Ne atje në fshat punojmë me dorën e djathtë, me këmbën e djathtë, zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, e nëse ky parlament do të bëjë mirë atë për të cilën është zgjedhur të bëjë, duhet që secili prej këtyre organeve të bëjë funksionin që i përket, ne atë presim.
Unë, ne…kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim, politika agrare specifike afatshkurtra e afatgjata, ujë vaditës dhe ujë pirës, kredi të buta, moderim të çmimit të punimit të tokës dhe farërave, subvencion e mbështetje, por kërkojmë dhe informacion. Atje ku nuk shkon rruga, informacioni nuk e ka shumë të vështirë të shkojë. Kërkojmë mbështetje dhe thjeshtësi.
Ja ku jemi!
Çfarë duhet të bëjme ne nga fshati? Çfarë duhet të bëjmë ne për të pasur politika rurale me impakt real pozitiv, çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi shembull i turizmit, kulturës rurale në rajon, por edhe më gjërë? Çfarë duhet të bëjmë ne që ta ndihmojmë vendin tonë biologjikisht europian të bëhet politikisht europian?
Ja ku jemi!
Problemet i njohim të gjithë. Të gjejmë zgjidhjet së bashku, me shumë modesti, me shumë dashuri për këtë tokë, për Shqipërinë rurale, për Shqipërinë…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


