E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fëmijët brenda kafazit të betonit!
Sot

Fëmijët brenda kafazit të betonit!

Adriatik Lapaj/  Mendoj se ne si shoqëri bëjmë shumë pak për lumturinë e fëmijëve. I duam shumë, por nuk bëjmë atë që duhet për ta.

Fëmijët sot në qytete jetojnë si zogu në kafaz. Nuk dëgjoj zëra në lagje. Nuk dëgjoj as njerëz të ankohen për zhurmat e tyre. Dikur ne na dilnin nga dritaret gjyshet e gjyshërit, na luteshin për pak qetësi. Thyenim dhe ndonjë xham. Hanim dhe ndonjë dackë apo na skuqej veshi si mollë Korçe pasi ishte tërhequr nga dora e ashpër e një xhaxhi apo tete. Kujtoj se ditë pa dërrmuar gjunjtë nuk kishte. Luanim futboll, syllambylla/kukafshehthi, topdjegësi, shtetesh, bam, me pingla, telefoni i prishur.

Ngrinim gracka për zogjtë. Hanim nga buka e njëri-tjetrit. Kishte pemë ku hipnim. Nuk i futem varfërisë se ai ishte problem i të rriturve, por e vërteta është që kishim fëmijëri. Sot nga shtëpia në kopësht ose shkollë. Nga shkolla ose kopështi në shtëpi. Çfarë padrejtësie! Po i mohojmë pjesën më të bukur të jetës atyre që më shumë duam. Për çfarë? Në emër të kujt? Në emër të betonit? Babëzisë? Po le të ndërtojmë more, pse u dashka ngjitur e ngjitur! Po i heqim mundësinë që të kenë kujtime. Kujtimet e tyre tashmë janë ashensori, makina, qendra tregtare, lokali, Ipad-i, telefoni, lap-topi, play station-i, televizori.

Fëmijët në fshat nga ana tjetër po i dënojmë me vetmi të një lloji tjetër. Fshatrat po zbrazen. Fëmijë rrallë dëgjohen më rrugicave të tyre. Fëmija pa fëmijë të tjerë është i dënuar pa kryer faj. Po u heqim mundësinë të flasin me gjuhën e tyre. Po po, fëmijët mes veti kanë gjuhën e tyre. Kopshtet dhe shkollat në zonat rurale janë ku thërret qameti qoftë nga infrastruktura, qoftë nga cilësia.

Nga ana tjetër dëgjoj dhe shikoj me dëshpërim që ka raste abuzimesh me ta. Abuzime duke i nxjerrë të lypin. Ka tutorë në Shqipëri që nxjerrin fëmijët të lypin dhe fatkeqësisht janë prindërit e tyre. Ka të mitur që punojnë punë të rënda dhe ne i shohim, por heshtim se kemi hallet tona. Heshtim se na merr rutina. Heshtim se dhe po u ankuam nuk ka kush na dëgjon. Heshtim se po u ankuam na dekonspirojnë dhe ndoshta bëhemi viktima.

Çfarë po bëjmë kështu?!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.