FJALIMI I AMBASADORIT DONALD LU NË RRËSHEN – THIRRJE PËR REVOLUCION DEMOKRATIK?!
Prof. Dr. TIRAK RROTA
Sot Ambasadori i SHBA Donald Lu mbajti një fjalim në një takim me të rinjtë në Rrëshen të Mirditës. Në historinë e shtetit shqiptar nuk ka nisur ndonjë ndryshim nga shqiptarët e Rrëshenit, por ajo që u tha sot në Rrëshen nga Ambasadori Lu duhet konsideruar me shumë vëmendje e duhet lexuar me shumë kujdes. Thirrja e tij ishte shumë e fortë dhe e rëndësishme. E përmbledhur në tre pika ajo që tha Ambasadori Lu ishte:
ndryshime të mëdha do të ndodhin në Shqipëri
Ju (rinia) keni një rol të rëndësishëm për të luajtur në të ardhmen e Shqipërisë
Ju duhet të kërkoni ndryshime nga udhëheqësit tuaj
Kjo natyrisht është e kundërta e asaj që thotë paria e Tiranës. Sepse i vetmi ndryshim që pritet në Tiranë nga paria është hyrja në BE dhe i ashtuquajturi integrim. Kjo nuk ka asnjë të ngjarë që të ndodhë as në shekullin e XXV… Për cfarë ndryshimi flet Ambasadori Lu? Ai flet për integrimin, për flet edhe për shumë “ndryshime të tjera.” Mirë se integrimi dihet, por këto ndryshimet e tjera cfarë janë??? Duke u konsideruar tema e takimit dhe pjesëmarrësit, ndryshimi me sa duket është i lidhur me politikën e brendshme!
Ia vlen që ta sjell këtu të plotë dhe pas asnjë shkurtim atë pjesë që është me interes.
“A e dini se si mund t’i keni të gjitha këto? Ju do t’i kërkoni. Gjëja më e mirë për brezin tuaj është se nuk jeni me pritshmëritë e ulta të së kaluarës komuniste të këtij vendi. Ju kërkoni punë, siç kanë ata në Gjermani. Ju prisni ligje kundër korrupsionit, siç kanë në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe ju këmbëngulni për liritë personale, siç ndodh në SHBA.
Ju jetoni në demokraci. Përgjegjësia dhe pushteti janë tuajat. Nëse e kërkoni atë, qeveria juaj duhet të përgjigjet. Ose ju do ta rrëzoni atë. Për shembull, në fillim të vitit shkollor, shumë njerëz, përfshirë edhe opozitën, kërkonin libra falas për studentët. Ky është një vend i vogël. Nuk është një vend i pasur. Por është e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët e saj. Dhe kur qeveria ju tregon se nuk mund ta përballojë atë, ju duhet të pyesni se si ata janë duke paguar për ndërtesat e tyre qeveritare, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre të huaj. Në demokraci, përgjegjësinë dhe pushtetin e keni ju. Ne presim ditën kur ju të jeni udhëheqës të Shqipërisë. Ne e dimë se brezi juaj do të jetë më i mirë se gjenerata e tyre (theksimi në origjinal) në udhëheqjen e Shqipërisë drejt së ardhmes së saj evropiane.”
Edhe pa u zgjatur fare të bien në sy të paktën këto gjërat e mëposhtme. Së pari, ky fjalim tregon qartë dhe pa asnjë ekuivok se punët midis shtetit shqiptar dhe SHBA, d.m.th. midis parisë sunduese të Tiranës, të atyre (theksimi nga Ambasadori Lu) që I mbajnë këta të rinj “të lidhur ngushtë me pritshmëritë e ulëta të së kaluarës komuniste të këtij vendi” dhe strukturave shtetërore të SHBA nuk janë aspak mirë. Së dyti, Ambasadori Lu po iu tregon njerëzve rrugën e veprimit shoqëror në demokraci dhe ajo është rruga e kundërvënies së hapur ndaj qeverisë ekzistuese. Së treti, duke iu drejtuar një zone ku ndikimi i Tiranës dhe i parisë është minimal, dhe ku influenca të tjera janë duke u bërë parësore, tregohet në të njëjtën kohë se nuk ka fort besim tek rinia e kryeqytetit dhe se e konsideron atë të influencueshme prej parisë. Së katërti, duke kontrastuar luksin e qeveritarëve që sa kanë rinovuar zyrat e ndërtesa me mjerimin e njerëzve, iu jepet një kauzë dhe iu tregohet se kundër kujt duhet të ngrihen. Së pesti, iu drejtohet gishti të gjithë pjestarëve të parisë së Tiranës si njerëz që kanë dështuar në përmbushjen e objektivave të tranzicionit. Edhe më shumë, e së gjashti, theksohet pakënaqësia me këtë brez politikanësh që tashmë janë bërë të padurueshëm dhe që janë rritur dhe i përkasin një kohe tjetër. Kur prêt dikë tjetër, d.m.th. që të ka sosur durimi me këta që janë rritur në sistemin e mëparshëm dhe që funksionojnë si më pare në krye të shtetit. Së shtati, këta të rinj janë më të mirë sepse nuk janë të lidhur e të ngjizur me ‘pritshmëritë e ulëta të së kaluarës komuniste.’ Së teti, shkurt e shqip për gjithkënd që ka mend Ambasadori Lu po i bie pragut që të dëgjojë dera dhe shtroi agjendën e ndryshimit të bdrenshëm. Ai foli në Rrëshen por fjala ka shkuar gjithkund përmes televizoneve. Së nënti, kjo, në kushtet e shtetit shqiptar është një thirrje për revolucion: “Ju jetoni në demokraci. Përgjegjësia dhe pushteti janë tuajat. Nëse e kërkoni atë, qeveria juaj duhet të përgjigjet. Ose ju do ta rrëzoni atë.” Dhe së dhjeti, ky fjalim ia hoqi maskat parisë së Tiranës dhe ajo duhet të reagojë qoftë edhe duke mos reaguar. Natyrisht që mediat e Tiranës do ta kalojnë si zakonisht dhe paria nuk do të reagojë. Mirëpo, kjo ishte një rrufe, dhe në politikë nuk bien rrufe në qiell të kthjellët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


