Forca dhe dobësia e sotme e Ramës
Artur Zheji
E ka ndarë Shqipërinë në “Principata”, në krye të secilës principatë, ka të paktën një treshe komanduese që i raporton vetëm atij.
Një shef politik partiak, një super të fortë dhe një superbiznesmen.
Të tre këta, kanë një lidhje me fill të “kuq” që lidhen direkt me kryeministrin dhe Zyrën e tij Operative.
Të tre këta dhe peshqit më të rëndësishëm të zonës, ndajnë dhe përpunojnë resurset e Qarkut apo Principatës, sipas kritereve politike, me Një Qëllim të vetëm: Pushtetmbajtjen!
Sipas të gjitha të dhënave, kjo ndarje dhe nënndarjet përkatëse që e pasojnë, funksionon gjatë gjithë kohës, si një ndërmarrje e koordinuar, që e ka kulminacionin e vetë me afrimin e fushatave zgjedhore.
Madje këto kupolat e principatave të reja, kanë tashmë edhe një tregues të përparuar teknologjik, duke krijuar një databejs, një pasqyrë të dhënash pra, që japin në çdo kohë në përgjigje përgjithësisht të saktë, të “repartit” të organizuar politik-ekonomik dhe “paraushtarak” të të fortëve, që mbyllin jashtë vëmendjes dhe në shpërfillje të ligjit punët gri operative…
Ky organizim, në të vërtetë, është një nga organizimet lokale dhe rajonale, nga më të përsosurat që nga fillimi i sistemit të ri kapitalist në Shqipëri.
Në periudhën e diktaturës socialiste, kontrolli i territorit dhe i popullatës, realizohej nga treshja:
sekretar partie
kryetari i komitetit ekzekutiv
I plotfuqishmi i Policisë dhe Sigurimit të Shtetit
Vendin e Sigurimit të Shtetit, që vepronte duke e anashkaluar Ligjin e kohës, por që në fund të fundit ishte një institucion shtetëror, sot e ka zëvendësuar i “Forti” dhe banda e tij lokale, që vetëfinancohet përmes garancive të tërthorta, me trafiqe të mirëfillta, por dhe me sipërmarrje tenderësh, shpesh herë në bashkëpunim me “Superbiznesmenin” lokal.
Në rastin e kanabizimit masiv të Shqipërisë 2014-2015-2016, u krijua një ndërthurje pothuajse e plotë, e bandave me repartet e Policisë së shtetit, që bënin një ndarje të përbashkët të detyrave, në lidhje me parcelat e drogës, mbrojtjen dhe trafikimin e prodhimeve te tyre.
Rama është kujdesur si pakkush më parë, që njerëzit e caktuar në komandën e këtyre qelizave komanduese, në të vërtetë qeliza kanceroze dhe Antishtet, të shpërblehen sa më mirë dhe sa më bollshëm, duke siguruar kësisoj, motivimin dhe besnikërinë e këtyre reparteve. Të cilat, një herë në 2 vjet, duhet të “garantojnë” rezultatin zgjedhor, që mban në pushtet kryeshefin e Tiranës, por edhe ata vetë, si pjesë e rrjetës së këtij sistemi.
Thënë kjo, duhet shtuar se kryeministri i sotëm, nuk e ka shpikur ai këtë sistem në Shqipëri, por thjesht e ka përsosur dhe ka shtuar si askush më parë kuotat e shpërblimeve, për ata që i shërbejnë.
Kjo është padyshim forca dhe epërsia e Ramës nga pikëpamja organizative, duke u bërë kampioni i “bujarisë” financiare dhe të përkrahjes së karrierave të mbështetësve të vet.
Ndërsa dobësia e tij, ka të njëjtën rrënjë me forcën: Sistemi Antishtet që i shërben personalisht atij dhe pushtetit të vet, i përsosur nga ai vetë në mënyrë mbresëlënëse, herët a vonë, do të bëjë “kryengritjen” e radhës.
Në kërkim të një kryeshefi më të dobët, sepse etja për pushtet e Antishtetit, herët a vonë nuk mund të pajtohet me autoritarizmin e pakufizuar dhe të pakufizueshëm të këtij kryeministri, që ndan nga lart, llokmat që shqyhen poshtë…/360grade
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



