Gati ndërhyrja? Trump mesazh iranianëve: Ndihma është rrugës!
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka inkurajuar publikisht protestuesit në Iran që të vijojnë demonstratat dhe të marrin në dorë institucionet e vendit, në një reagim të fortë të publikuar në rrjetin social “Truth Social”.
Përmes këtij postimi, Trump u ka bërë thirrje qytetarëve iranianë që të mbajnë shënim emrat e atyre që ai i cilëson si vrasës dhe abuzues, duke deklaruar se ata do të përballen me ndëshkimin e merituar. Ai theksoi gjithashtu se ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarë iranianë, derisa, sipas tij, të ndalet vrasja e protestuesve.
Presidenti i SHBA-së e mbylli mesazhin e tij me një fjali që ka ngjallur reagime dhe interpretime të shumta, duke i dhënë iranianëve një sinjal shprese: “ndihma është rrugës”. Ky formulim është parë nga analistët si një sinjal se në Uashington mund të jetë marrë ose po shqyrtohet një vendim konkret në lidhje me situatën në Iran.
“Patriotë iranianë, vazhdoni protestoni – merrni në kontroll institucionet tuaja! Ruani emrat e vrasësve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa të ndalohet vrasja e pakuptimtë e protestuesve. Ndihma është rrugës së saj. MIGA!!! Presidenti Donald J. Trump”, shkruan Trump në postimin e tij.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, mediat ndërkombëtare raportuan se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kishin diskutuar mundësitë e një ndërhyrjeje në Iran. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Trump po shqyrtonte opsionet e mundshme dhe se një vendim mund të merrej brenda kësaj jave. Nëse këto diskutime do të përkthehen në veprime konkrete, mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Ndërkohë, bilanci i dhunës në Iran vijon të jetë alarmant. Sipas vlerësimeve, rreth 2 mijë persona dyshohet se kanë humbur jetën që nga nisja e protestave, ndërsa mbi 11 mijë të tjerë janë arrestuar. Autoritetet iraniane kanë ndërprerë gjithashtu aksesin në internet, në përpjekje për të kufizuar qarkullimin e informacionit jashtë vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



