Gazetari Çollaku: Ministra e deputetë në trafiqe, Rama peng….
Gazetari Basir Çollaku i ftuar në “360 Gradë” në Ora News tha se oficeri i policisë Emiljano Nuhu ka prova konkrete për implikimin e deputetëve dhe ministrave në trafiqe.
Teksa pritet të shkojë në prokurori për padinë e bërë nga Taulant Balla, Çollaku thotë se nuk ndihet i frikësuar për shkak se ka thënë të vërtetën.
“Nuk ndihem i kërcënuar sepse nuk kam gënjyer. Kjo është ajo që më mbron. Mekanizmi që po përdoret është shantazhues, jo vetëm ndaj meje por ndaj çdo opinioni në këtë vend. Të krijosh Byronë Politike në 2018-n se kush duhet të dënohen, kush shkon në Prokurori. Trafiku i drogës është normalitet dhe prokuroria merret me gjëra të tilla. Nuk di çfarë duhet të hetojnë tjetër Prokuroria dhe policia, kur krimi është bërë normalitet. Unë nesër do të dëshmojë në prokurori për kallëzimin e Taulant Ballës për kallëzim të rremë. Nëse unë kam shpifur, do të dënohem unë. Problemi këtu është të shmanget çfarë ka deklaruar komisari, Emiljano Nuhu. Ai thotë edhe prova që është gati t’ia vërë në dispozicion drejtësisë, jo asaj servile ndaj qeverisë. Janë implikime konkrete ministrash, deputetësh në trafiqe, në para elektorale miliona euro. Janë gjëra që kanë ndodhur në Shqipëri. Kryeministrin e ka marrë e keqja para”, u shpreh Çollaku.
Sipas gazetarit Basir Çollaku, shqetësimi i vërtetë për çuarjen në gjykatë të shpifjeve, është dosja e Agron Xhafës.
“E di ku është halli i qeverisë? Ka dokumente zyrtare, përgjime prokurorie. Dosja e Agron Xhafën. Drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe ai i Fierit, dalin në përgjime për të ndryshuar alibinë e një të akuzuari. Këta janë në shpërdorim detyre. Edhe nënkomisari ka informuar më 3 gusht drejtorin dhe ministrin se është kërcënuar dhe nuk është marrë asnjë masë. Shkon kryeministri dhe u thotë atyre drejtuesve vazhdoni kundër të fortëve. Kush janë këta të fortë që nuk i njeh kryeministri? Kush i zhduku këto përgjime? Drejtuesit e policisë janë në siklet dhe duan garanci për t’i shkuar deri në fund. Kush u jep garanci? Kryeministri” shton gazetari.
Gazetari Basir Çollaku tha më tej se kryeministri Rama po riformaton marrëveshjet me “të fortë të rinj”, pasi “të vjetrit” janë dekonspiruar.
“Është duke riformatuar marrëveshjen me ‘të fortët’. Nuk i ka në dorë ky ‘të fortët’, por ‘të fortët’ e kanë këtë. Janë të ‘fortë’ Ndokaj, Rraja, Tahiri, Balla. Ish-ministri që ka një dosje për trafik droge në një organizatë ndërkombëtare të krimit të organizuar. Janë një pjesë e këtyre të fortëve që dolën nga Parlamenti.
Janë edhe nja 10 të tjerë që po u dalin dosjet. Tani po bëhet marrëveshja e re se u dekonspiruan grupi i parë i të fortëve, duhen të fortë të tjerë dhe për të riformatuar marrëveshjen, duhen para të tjera”, shtoi Çollaku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



