Gënjeshtra është bërë Kushtetuta dhe feja jonë e re.
“Kur është fjala për kontrollin e qenieve njerëzore, nuk ka instrument më të mirë se sa gënjeshtra. Sepse ju e shihni, njerëzit jetojnë sipas besimeve. Dhe besimet mund të manipulohen. Fuqia për të manipuluar besimet është e vetmja gjë që ka rëndësi”. thotë Michael Ende (12 nëntor 1929 – 28 gusht 1995) një ndër autorët më të famshëm gjerman të shekullit të 20-të.
Shqiptarët kanë një raport shumë të ndërvarur me gënjeshtrën dhe mashtrimin, në kuptimin e parë të kësaj fjale. Zaten gënjeshtra dhe mashtrimi duket se janë zullumqarët më të mëdhenj në krejt jetën tonë. Të gjitha të zezat aty zënë fill, tek gënjeshtra, mashtrimi dhe mohimi.
Më vonë ajo konvertohet në dhunë, terror dhe vrasje. Ju lutem, shihni krejt historinë tonë të re nën komunizëm; e mbushur me gënjeshtra për një Botë të Re që nuk erdhi kurrë. Ky menanizëm djallëzor ngriti sistemin më antihuman që ka njohur bota. Gjithçka zanafilën aty e ka, paçka se ajo gjithmonë shoqërohej me sllogane, parulla, glorifikime për heronj imagjinarë, për bollëk dhe mirëqenie dhe për Jetën e Rë (për jetën në Rrethin e nëntë të Ferrit).
Kjo gënjeshtër vazhdoi edhe më vonë, në forma dhe mënyra të ndryshme. Diku më e madhe, diku më e fortë, e kamufluar dhe e hapur, ashtu e paturp siç është, për fat të keq, ajo ka shenjuar dhe vazhdon të shenjojë jetën tonë; ekonimike, shoqërore dhe politike.
Kur gënjeshtari, mashtruesi dhe mohuesi nuk është njeri i zakonshëm, problemi me gënjeshtrën merr tjetër përmasë. Për më tepër, kur ky gënjeshtar, mashtrues dhe mohues bëhet lider i një kombi, atëherë katastrofa është e sigurtë.
Sepse, për të arritur në majë të pushtetit është një rrugë e gjatë e cila duhet mbushur me gënjeshtra, mashtrim dhe mohim. Madje edhe me kufoma të vrarësh. Dhe për fat të keq, egzaktësisht kjo ka ndodhur me shoqërinë tonë. Ndërkohë, sot gënjeshtra është kthyer në institucion. Gënjeshtra është bërë Kushtetuta jonë, gënjeshtra është bërë feja jonë e re.
Gënjeshtra ka pushtuar si kulpra gjithçka që gjallon ndër ne. Tashmë ajo rrjedh e trashë, si një masë e zezë viskoze nga lart poshtë. Ashtu e pafytyrë niset prej Olimpit tonë në Surrel e derdhet rrugëve të Tiranës, në formën më vanitoze, për të pushtuar Shqipërinë. I madh e i vogël ngecim në llucën e zezë të saj, të dënuar me një vdekje të ngadaltë dhe të sigurtë.
Gënjeshtra, mashtrimi dhe mohimi ka sipërmarrësit e saj. Ajo tashmë kuotohet në Bursën e Liderit tonë, i cili shet dhe blen aksionet e saj. Shumë gazetarë nuk janë më punëtorët e së vertetës, por punëtorët e gënjeshtrës. Ata gjithë ditën e lume shesin dhe blejnë rrena dhe mashtrime me okë, ndërsa në darkë mblidhen nëpër panelet televizive, tek vrasin pa pikë mëshire të vertetën jetime.
Shënim: “Mediat si Makina e Kohës” është një cikël shkrimesh për gazetarët, profesorët, njerëzit me profil të fort publik, por dhe për shkrimtarët shqiptar në raport me manipulimin masiv të së vertetës në Shqipëri. Ndërkohë, shkrimet do të vazhdojnë në ditët në vijim për strukturat e ngritura në media dhe çdo qelizë të jetës tonë, çka ka sjellë paralizë dhe asfiksi të plotë në krejt shoqërinë shqiptare.
© Erl Kodra
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



