George Soros dhe Edi Rama nuk janë një teori konspiracioni
Erl Kodra
Është e vertetë se ndjehesh keq kur mendon se gjithçka që ndodh në vendin tonë injorohet sistematikisht nga Bashkimi Europian. Paradoksi i kësaj situate e tejkalon çdo llogjikë racionale; Jean-Claude Juncker dhe Federica Mogherini lavdërojnë drejtë për së drejti Kryeministrin Edi Rama, për arritjet imagjinare të Qeverisë së tij.
Çfarë lumturie, nëse këto arritje të qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Edi Rama të ishin të verteta! Por, për fat të keq realiteti është krejt tjetër. Ndaj, në këto rrethana është e nevojshme të kuptohen arsyet se pse Jean-Claude Juncker, Federica Mogherini dhe Antonio Tajani i thonë këto broçkulla. Cilat janë arsyet e verteta që këta zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian mbajnë këtë qendrim?! Sepse, në këto rrethana të reja, veçanarisht pas këtyre qëndrimeve zyrtare, zor se hanë më arsye justifikimet se Bashkimi Europian manipulohet nga afeksioni me Edi Ramën i Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin dhe i Ministres Europiane Federica Mogherini.
Ky qëndrim i burokratëve të Brukselit tashmë duhet parë në një këndvështrim ndryshe dhe me dyshimin e arsyeshëm se kjo lojë e ndyrë ka prapavijë të qartë konspiracioni ndërkombëtar me George Soros. Analiza e fakteve të sjell në këtë përfundim. Unë zakonisht nuk i besoj konspiracionit me qenie aliene dhe parashikimeve të Michel de Nostredame, por fakti se George Soros ka 25 vjet në Shqipëri është kokëfortë. Milionat e investuara nga Fondacioni Soros për të majtën shqiptare janë një fakt. Miqësia e spekulantit të financave ndërkombëtare me Kryeministrin Edi Rama është e hershme; ftesa në dasëm, takimet dhe darkat, promovimet dhe gjithçka ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit, dhe sidomos gjatë dhe pasi Edi Rama u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe më vonë Kryetar i Partisë Socialiste. Zbulimet e Wikileaks për emailet që i dërgoheshin Hillary Clinton vetëm dy ditë nga ngjarjet e 21 Janarit janë një provë. Inicimi, promovimi dhe ekspertiza e Fondacionit Soros për Reformën në Drejtësi janë fakte. Takimi i fundit i Kryeministrit Edi Rama me plakun Soros në SHBA, si dhe vizita e para disa ditëve e të riut Soros në Tiranë dhe takimi me Edi Ramën e plotëson tablonë dhe rrëzon çdo dyshim se, të gjitha këto rrethana nuk janë një kombinim fatal.
Po, faktet tregojnë se të gjitha këto rrethana janë të kombinuara fatalisht nga George Soros, për qëllimet dhe arsyet e tij, për interesat e tij ekonomike dhe politike. George Soros nuk është rastësisht një miliarder “filantrop” dhe kontravers njëkohësisht. George Soros nuk është padashur në ballë të përpjekjeve për të promovuar një axhendë politike në Europë dhe në SHBA. George Soros nuk është rastësisht mik i Edi Ramës. George Soros nuk i ka shkruar rastësisht Hillary Clinton për 21 Janarin. George Soros nuk e ka filluar dhe e ka mbështetur rastësisht Reformën në Drejtësi. George Soros nuk ia kalon rastësisht 18 miliard dollarë Fondacionit për Shoqëri të Hapur. George Soros nuk është thjeshtë një person i pasur, por ai, me mjete dhe metoda kinse të maskuara si demokratike, sot përfaqëson diçka tjetër.
Dhe me sa duket, Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë thjeshtë kontorno në pjatën e konspiracionit europian dhe botërorë. Prandaj nuk ka vend për ndonjë çudi të madhe, nëse Federica Mogherini dhe Jean-Claude Juncker thonë ato fjalë për xholin e George Soros në Tiranë, sepse me shumë gjasa edhe ata vet janë pjesë e lojës globale të George Soros. Zakonisht një miliarder spekullant nuk bën asgjë falas, por gjithçka është e planifikuar deri në detaje. Dhe planet e tyre gjithmonë janë afatgjata.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



