E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gëzuar festat, e zoti të ruajttë o  mbreti ynë!
Sot

Gëzuar festat, e zoti të ruajttë o mbreti ynë!

 

Naim Noka

Në kalendar kanë mbetur edhe pak ditë nga ky vit  dhe  të gjithë duhet të ulemi për të bërë një bilanc të vogël  me  disa pyetje të thjeshta për vitin që po lëmë pas.

Republika e  Prokurorëve apo Republika e Hajdutëve?

A mundi   SPAK-u    të përmirësojë  imazhin e shtetit të  turpshëm  që po trashëgojmë për tre dekada?  Le ta ngushëllojmë veten edhe  me pak goditje sporadike që prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re  i bënë korrupsionit  dhe krimit dhe   arrestimin e  79 vjeçarit Sali Berisha.

A mjafton vetëm vullneti i Altin Dumanit të SPAK-ut  dhe pendimi i Nuredin DUMANIT killer me pagesë për të bërë zap KUÇEDRËN që kontrollon sistemin?  

E pamundur që  disa  prokurorë dhe një grusht gjyqtarësh  të vrasin frikën e kësaj ‘kuçedre ‘  dhe të godasin  jo vetëm  hajdutët e vegjël  që  i mbaruan të gjitha  dardhat  pas shpine Edi Ramës apo fiqtë e Erion Veliajt  pa trokitur tek KOKA  qoftë ky dhe  kryeministri.

Për fatin tonë të keq bilanci është  minimalist dhe i pakonsiderueshëm për “Republikën e Prokurorëve” .

A mjafton  të kesh frikë  nga  Ilir Beqja pse e mbron Rama për PPP-në e “Sterilizimit”?

A mjafton të kesh frikë  nga Erion Veliaj pse e mbron Rama për  Inceneratorin  e Tiranës që nuk egziston ?

A është turp për një shtet minimalist normal në Ballkan  që një  farë Mirel Mërtiri të tallë menderen  live  në media opozitare nga Viena pas  miliona eurove  që i paguam edhe gjatë 2023-shit nga  Thesari i Shtetit ?

Kaq  të vështirë e ka SPAK të hapë kryesisht hetime për  mijëra leje ndërtimi në Tiranë për të  parë nga vijnë këto para, dhe pse një mesues, një doktor dhe  një profesionist sado i zoti  që të jetë,  ka zero mundësi  të blejë nje shtëpi modeste me kredi në fjetoren e madhe  të Tiranës?

Kaq të vështirë e ka SPAK-u  të verifikojë abuzimet në JUG të vendit me pronat dhe investitorët strategjikë të qeverisë?

  Pse  nguron? Përgjigje e thjeshtë, nuk janë maskarenjtë e vegjël që udhëheqësi i madh u delegon besim politik dhe administrim në tre mandate radhazi dhe ata vetëm hanë të babëzitur dardhat pas trupit të gjatë  të Ramës. Jo! Pa goditur ballas Edi Ramën  në korrupsion  dhe pastaj bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë  asgjë nuk ka për të ndodhur edhe gjatë vitit 2024.

 Pa vrarë frikën me Ramën siç bëtë me Berishën dhe  Metën,  asgjë nuk ka për të ndryshuar në këtë sistem hibrid  dhe të korruptuar.

Pa bërë këtë të dashur SPAKISTË,do të fitojë thellë Republika e Hajnave.

Thuajse  për të gjitha bashkitë  dhe  institucionet përgjegjëse   qofshin qendrore apo lokale, Publik MEDIA  ka raportuar  në 12 muajt e vitit disa qindra tendera korruptivë me flamur të kuq apo me fitues të paracaktuar. 

Miliarda  euro u firmosën  nga titullarë të  etur pë të vjedhur sipas ‘normave zakonore’ të sistemit 10 vjeçar  pa  asnjë minimum përgjegjësie  dhe frike  se do të ndëshkohen nga ligji edhe gjatë  vitit 2023.

Edhe këtë vit  qytetarët jetuan  në një vend pa gjykata  dhe me një hartë të re gjyqësore  në kolaps total.  

Çdo qytetar që ka  një makinë  pagoi  përveç dhjetëra  gjobave për  parkim  edhe  për këtë vit çmimin    më  të shtrenjtë  në Europë për karburantet.  Transporti publik  ku thërret qameti!

Arsimi ynë  për këtë vit u “nxi”  sterrë nga

“Pisa” duke na renditur nga fundi i vendeve në botë.

E kotë  të pyesësh se si e morën  qytetarët shërbimin   e shëndetësisë  koncensionare në vitin që po lëmë pas.

Sa të rinj dhe  qytetarë  ikën këtë vit?

Sa të tjeré janë me mendje të ngritur për të ikur nga Shqipëria?

Po!  Sepse janë pa asnjë shpresë; sepse  tani ska  më as punë  e as profesionistë, sepse pushtetarët vjedhin e vjedhin pa pushim,  në sistemin  që ka përqëndruar  të gjitha shëbimet dhe  burimet financiare në pak duar oligarkësh duke i miksuar me paratë e drogës dhe grupeve kriminale.  Sepse  Rama është mbreti ynë, dhe fati  ynë  varet sa në humor dhe shëndetlig do të jetë mbreti.

Nëse  mbreti  mendon të ndertojë një kullë 30 kate në Dajt tek antenat, që të shikojë nga larg  Rrugén e Arbrit  që ka ndërtuar Geci, asgjë se ndalon. Nëse ai shikon një ëndërr për një tunel nënujor  që lidh “Durrësin e Alabarit” me  Barin e Italisë me koncension  që emigrantët e Melonit   të vijnë sa më shpejt  për në Lezhë, askush nuk  ka forcë ta ndalojë. I fut nje VKM, një ratifkim në parlament , një firmë te  president Bajrami dhe bëhet.

A jemi më të sigurtë në vitin që po vjen në prona, biznese, rrugë  e shtëpitë tona?

A janë më të sigurtë të burgosurit që vuajnë dënimin pas vrasjes në burgun e Peqinit? 

A do të kemi  më pak  lindje se vdekje?

Si do jetë gjendja ekonomike e mbi 180 mijë punonjësve të administratës vitin që po vjen?

Do të jetojnë  më mirë  rreth 700 mijë pensionistët që u daravitën me 500 mijë lekë nga kryeministri ?

A do të vijojë të tallet qeveria me titujt e pronësisë sipas  tekave të udhëheqësit duke  ta marrë   pronën për të  bérë  investitor strategjik një shok . Ndërsa ish-pronarët  morën edhe këtë vit “nocrrokun” e kryeministrit.

Sipas oreksit dhe humorit të  Ramës  varet e ardhmja e  më pak se 3 milionë banorëve të ketij vendi.  Qytetarët duhet të luten që Rama të gëzojë shëndet sepse nga kjo varet, “bordi i naftés”, vula e  PD-së së Bashës, kampet e refugjatëve  për Italinë, lista e deputeteve për zgjedhjet e reja parlamentare, koncensionet e vjetra dhe të reja, tenderat dhe  investitoret strategjike, titulli i pronës .

Nga shëndeti i kryeministrit varet fati i shumë oligarkëve të Tiranës, dhe bizneseve  të mëdha që ushqehen me miliona euro nga buxheti i shtetit.  

Nga humori i kryeministrit varet dhe fati i medias audiovizive i televezioneve të Tiranës.  

 Edhe gjatë 2023-shit   politikanët  e pozitës dhe opozitës  përfunduan në kuotat  më të ulëta dhe  të përbuzur nga i gjithë opinioni publik! Asgje e re nuk shihet në horizontin politik të Shqipërisë.

 Lëvizjet e reja politike  nuk gjetën terren edhe pse fusha është më e hapur dhe e lirë se kurrë më parë.  “Lëvizja Shqipëria Bëhet” nga disa  të rinj si Adriatik Lapaj, Florian Binaj dhe Lëvizja ” ShpresOn” nga Altin Goxhaj  “Lëvizja Atdheu” e Kreshnik Osmanit, Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorrit, Levizja “Thurje” e Dr Endrit Shabanit  dhe pse  shihen me shpresë  për  ndryshime në skenën politike  gjithçka duket e vakët.  

YESDeputetët e listës   edhe vitin tjetër do të do votojnë  çdo dëshirë politike të Ramës.  

Dinastia e pushtetit ekonomik  dhe politik të Berishës u rrëzua  duke goditur rëndë dhe copën më të  madhe të opozitës të cilën  e mbajti për vete  duke e çuar në “arrest shtëpie” dhe shpresën opozitare për rrotacion politik në 2025.  

Por halli i madh  është  si do mundet KUÇEDRA që po mban  peng demokracinë dhe të ardhmen e vendit  duke mbartur  një pushtet absolut në ekonomi, parlament dhe pushtetin vendor. 

Shpartallimi  total i  opozitës jep pak shpresë  për një pranverë  politike. Ideale ndoshta do të ishte që  shqiptarët  më të guximshëm  dhe mendjehapur, duhet të bashkohen rreth levizjeve të reja politike me zemër e besim se ky vend është  toka ku do të rrisim femijët dhe qe zoti e ka bekur me diell, det dhe male.

E trishtueshme  është që  vendi do të  drejtohet  nga KÇK-të  e  33 viteve, duke lënë në varfëri   rreth  3 milionë banorë  sa  qyteti i Athinës   me resurse e mundësi të pafundme.

Po arritje nuk pati qeveria?

Pa Ramën nuk do të ishte e mundur pjesëmarrja e skuadrës kuqezi në EURO24 në Gjermani.  Pa qeverinë Rama nuk do kishim dy satelitë Albanian 1 dhe Albanian 2  që vëzhguan 7 ml turistë që vizituan Shqipërinë.

Pa  shërbimin  ekskkuziv të shërbimit të imazherisë (Gis) nuk do të kishim  foto në kohë reale nga groposja e plehrave  të Tiranës në landfillin e Sharrës ngjitur me ‘inceneratorin e Mirel Mërtirit’.

Përafrimi i ligjeve europiane dhe kontrolli i prokurimeve publike  me anë të ChatGPT ose inteligjencës artificiale nuk do bëhet i mundur pa  udhëheqësin tonë më të mirë prej krejtve.  Tani korrupsionin do ta luftojmë nga tastiera e kompiuteri të AKSHI-it. Arritjet në planin gjeopolitik si asnjëherë tjetër, kush tjetër do të demaskonte ambasadorin rus ne OKB më mirë se udhëheqësi  ynë?

Kush tjetër më mirë se udheheqësi ynë i lavdishëm tërheq vëmendjen e homologëve në takime. Le  të dalë një kryeministër në Europë dhe botë   që  është me i gjati dhe udhëton me  avion” Ismaili” privat si ‘mbreti’ ynë!

Ndaj jo vetëm ky vit i Ri të na e gjejë shëndosh e mirë, por dashtë zoti e nuk na e kërkojnë për Sekretar të NATO-s !   Pastaj vajmedet çdo të ndodhë  me vendin e shqipeve.  Kush do të na udhëheqë  nga fitorja në fitorje?!

Ndaj  sot të gjithë duhet të lutemi; Rroftë Mbreti! Gëzuar  vitin e Ri ju shqipe brenda dhe jashtë Shqipërisë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.