Gëzuar këtë tetor të lavdishëm të partisë!
Naim Noka
Ja sot 1 tetor 2019. Tetori që erdhi na shtoi pak më shumë ujë në rubinetin e shtëpisë prandaj do të mund të lahemi më shpesh këtë muaj. Mos harro o popull se ky tetor na gjeti me Gjykatë Kushtetuese, tani të gjitha ligjet e PPP-ve dhe dekretet e presidentit Meta do të kalojnë në filtrin e kësaj gjykate. Pas opinionit të Venecias për shkarkimin e presidentit, tani i vë vulën Gjykata Kushtetuese që u ngrit në shtator. Duhet të gëzohemi këtë tetor sepse na gjeti me Gjykatë të Lartë. Tani mijëra dosje prej vitesh do të marrin drejtim. Falë reformës në drejtësi dhe me ndihmën e pakursyer të miqëve tanë amerikanë dhe europianë vendi i shqipeve, më në fund ka ngritur edhe SPAKU-n , edhe BKH-në.Politikanët e korruptuar nuk kanë nga të ikin, këtu do rrinë e gëzojnë duke na vjedhur me klas e me lezet.
Mos harrojmë se ky tetor na gjen edhe me Prokuroren e re të sapozgjedhur të Republikës znj Arta Markun dhe tani jo vetëm politikanët e korruptuar por të gjejë vrimë e të futet vetë krimi. Ky tetor na gjeti me arrije te medha politike. Kujtim Gjuzi, Ralf Gjoni, dhe shumë figura të ndritura të kombit u ulën në Kuvendin Popullor për herë të parë.
Në të 61 rrethet u zgjodhën nga partia 61 Kryetarë të Komiteteve Ekzekutive të partisë. Nja tre ishin me njollë në biografi prandaj partia do ju tregojë vëndin… Ky tetor e gjen opozitën me protesta dhe me superprojekte mbi teorinë e sistemit dhe demokracisë. Pas dy javësh do të bëhet një lëvizje e fuqishme ‘Rama rri’
Fiks pas dy javëve hapim shampanjën për hapjen e negociatave, mirë do të ishte data 16 tetor…. Mos harroni që ndryshe nga tetori i një viti me parë ky tetor na gjeti me 100 mijë nxënës më pak në shkollat tona dhe tani shkollat do kenë më shumë vende të lira për tu ulur…
Gëzuar popull shqiptar, edhe ky tetor i lavdishëm të gjeti të pa mposhtur dhe grushtbashkuar rreth partisë nga fitorja në fitore me në krye figurën më të çuditshme në histori që nuk di çfarë është, çfarë do më nga jeta dhe çfarë do të bëjë më… Sigurisht fanar ndriçues do të vijojë të jetë deri në tetorin tjetër ERTV-ja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



