Grabitja e OTP Bank në Tiranë, arrestohet roja i bankës
Një grabitje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një degë e një banke të nivelit të dytë është bërë objekt i një sulmi kriminal. Pas ngjarjes, Policia e Tiranës ka vënë në pranga rojën e sigurisë së institucionit financiar, i cili akuzohet për mosreagim në momentet kritike.
Sipas burimeve, roja nuk ka ndërhyrë për të neutralizuar autorin gjatë grabitjes, çka ka ngritur dyshime mbi rolin dhe përgjegjësinë e tij në këtë incident.
Autori i grabitjes ka arritur të marrë rreth 10 mijë paund nga një qytetare që ndodhej brenda bankës në momentin e ngjarjes, duke kryer një depozitë. Përveç kësaj, ai ka mundur të marrë edhe një shumë të konsiderueshme parash nga arka e bankës.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë publike shumën e plotë të parave të grabitura, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ngjarja ka ngritur shqetësime mbi nivelin e sigurisë në institucionet financiare dhe rolin e personelit përgjegjës në raste emergjente.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



