E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hije skandali me ngritjen e Inspektorit të Drejtësisë
Uncategorized

Hije skandali me ngritjen e Inspektorit të Drejtësisë

Nisin në mënyrë të fshehtë aplikimet, ja loja me shpalljen e vendeve vakante

Reforma në drejtësi vishet me hije skandali. Përveç zvarritjes që po i bëhet këtij procesi për gati dy vite, tashmë po tentohet të bëhen manovra sa i takon ngritjes së strukturave të reja. Një prej organeve të reja që do të ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi është Inspektori i Drejtësisë. Ky organ do të ketë si detyrë inspektimin e gjykatave dhe prokurorive, për të zbuluar shkeljet dhe të kërkojë më pas ndëshkimin dhe marrjen e masave të tjera. Pra do të zëvendësojë Ministrinë e Drejtësisë, e cila sot është përgjegjëse për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Puna për ngritjen e këtij organi do duhej të kishte nisur që në fillim të vitit, por ende nuk po ngrihet. Organi përgjegjës është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili është ngritur si organ. Vetë Inspektorati i Drejtësisë do të ketë Inspektorin në krye. Kandidatët propozohen nga KED dhe në fund është Parlamenti që e zgjedh inspektorin. Por prej disa ditësh kanë nisur disa lëvizje të dyshimta në radhët e Kuvendit dhe në radhët e Gjykatës së Lartë. Edhe pse këto organe nuk kanë shpallur zyrtarisht vendet vakante për inspektor dhe punonjës të tjerë, disa individë kanë nisur të aplikojnë. Bëhet fjalë për individë të afërt me Kuvendin dhe gjykatën, të cilët i dinë procedurat dhe kanë bërë gati gjithçka duhet që të jenë në krye të Inspektoratit. Sipas burimeve konfidenciale, deri më tani kanë kandiduar 4 persona, që janë të njohur për publikun. Shumë shpejt pritet që të bëhet shpallja për këtë post, por këta individë i kanë dorëzuar prej disa ditësh dosjet, duke u dhënë mundësi anëtarëve të KED që të kenë një ide shumë të qartë mbi karrierën e tyre dhe me shpresën se do të skualifikohen personat pasardhës. Por një veprim i tillë ka hedhur mjaft hije dyshimi, pasi vetë reforma në drejtësi do të duhet të jetë një proces sa më transparent.

Përzgjedhja e Inspektorit të Drejtësisë

Në nenin 201 të ligjit për organet e reja të drejtësisë, janë përcaktuar të gjitha procedurat që duhet të ndiqen për përzgjedhjen e Inspektorit. Sipas këtij neni, fillimisht Këshilli për Emërimet në Drejtësi shpall publikisht vendin vakant, duke treguar në shpallje afatin e kandidimit, dokumentet që duhen paraqitur, kushtet e zgjedhshmërisë dhe kriteret e përzgjedhjes.

Më pas, çdo kandidat, që i përgjigjet shpalljes publike, paraqet të paktën dokumentet e

mëposhtme: jetëshkrimin e përditësuar; një deklaratë personale motivimi, ku shpjegon arsyen e kandidimit dhe objektivat që synon të ndjekë nëse emërohet; një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”; një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk është bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, etj. Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi lejon kandidimin e kandidatëve që plotësojnë kushtet formale, si dhe i rendit kandidatët në listë sipas kritereve të parashikuara në nenin 240 të këtij ligji. Lista e renditjes së kandidatëve të vlefshëm dhe arsyet e përjashtimit të kandidaturave, në qoftë se ndodh, publikohen në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë dhe i përcillen Kuvendit brenda tre ditëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.