Historiani Xhufi: Agron Tufa ka bubërruar në historinë time e të familjes sime…
Historiani i njohur Pëllumb Xhufi e cilëson ballist të vetëshpallur kreun e Institutit ndaj Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, duke e cilësuar në konflikt interesi hulumtimin e periudhës së Luftës për krime.
Z. Xhufi, ju keni pasur më herët një debat të ashpër me z. Tufa në lidhje me çështje, për të cilat ai sot po debaton me disa figura publike. Ndonëse nuk jeni përmendur e as paditur në gjyq prej tij si të tjerët, a mund të jepni një konsideratë për atë që po ndodh?
Shikoni, nëse nuk kam qenë objekt i z. Tufa në këto ditë të “triumfit” të tij mediatik, kjo vjen ngaqë ai është mishërimi më i mirë i një kulture anadollake që solli te ne demokracia shallvaregjerë e viteve të tranzicionit, kur njerëzve iu sugjerua të silleshin sipas parimit “heshtja është flori”. Po ndenje urtë, nuk të ngasim, madje të shpërblejmë me ndonjë koromane. Ama, po e hape gojën, të dërrmuam. Me këtë qasje prej fshatari me pushtet, z. Tufa e të tjerë brejtës e abuzues arkivash po shantazhojnë sot qytetarë e intelektualë të ndershëm të këtij vendi, që nuk ndajnë mendimet e katundit të tyre.
Për sa më përket, z. Tufa e ka bërë këtë punë kundër meje, ka bubërruar, e qysh, në historinë time e të familjes sime. Imagjinoni, ka hetuar imtësisht deri edhe me ç’emër e me ç’pasaportë udhëtoja jashtë vendit para viteve 1990. Domosdo, në mendjen e tij të kompleksuar, çdo shqiptar që atë kohë udhëtonte, qoftë ky zyrtar, student, inxhinier, agronom, shkrimtar, mjek, gjuhëtar, gjeolog, arkeolog, diplomat apo historian duhet të ishte patjetër agjent i kamufluar i Sigurimit të Shtetit! Nuk është i vetmi që mendon kështu.

Edhe një “Akademik” nga këta të demokracisë shallvaregjerë, nuk duroi pa ma thënë një ditë, ashtu, si miqësisht: “Ti, Pëllumb, që ke studiuar në Perëndim në atë kohë, me siguri ke kryer edhe ndonjë detyrë tjetër”. Ç’t’i thosha? Bëra sikur iu rrëfeva akad-leshit, që më ndiqte syshqyer, duke pohuar se “vërtet, përveçse student, kisha bërë edhe detyrën e agjentit sekret të Sigurimit, por isha një agjent i nivelit aq të lartë, saqë radarët e tij nuk arrinin të më kapnin”. Përtej ironisë, le të jemi tolerantë e të themi se në këtë pikë, si shumë të tjerë, z. Tufa vuan nga sindroma i “vrimës së çelësit” dhe e ka të pamundur të mos nxjerrë në pazar çfarë sheh përtej saj. Problemi që e bën shumë të thyeshëm në debatet e provokuara këto ditë nga ai vetë, është se Tufa hyn jangllëç në rropullitë e të tjerëve, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, duke shpërdoruar paranë publike e duke shkelur me të dyja këmbët ligjin që disiplinon veprimtarinë e institucionit, në rastin konkret të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Në këtë kuptim, unë e gjej plotësisht me vend kritikën që iu bë Tufës në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit, që nën drejtimin e tij, veprimtaria e Institutit në fjalë ka hyrë në një hulli antiligjore.
Ligji Nr. 10 242, datë 25.2.2010, që normon veprimtarinë e atij instituti, përcakton se detyra e tij dhe e bashkëpunëtorëve të tij është të hulumtojnë dhe të publikojnë, mbi bazë të dhënash dokumentare të besueshme krimet e ndodhura gjatë periudhës së diktaturës. Ai ligj assesì nuk ia lejon Agron Tufë se bashkëpunëtorëve të shumtë e të mirëpaguar të tij të mos merren me objektin ligjor të punës së tyre, por të bubërrojnë në dosjet e Sigurimit për të shantazhuar e linçuar moralisht cilindo që u prish humorin. Abuzojnë me ato dosje, deri sa arrijnë të fshehin kriminelët e spiunët e vërtetë, duke shpikur kriminelë e spiunë të paqenë.
Ligji nuk u lejon atyre të rrëmbejnë kompetencat e Autoritetit të Dosjeve dhe t’u kërkojnë institucioneve shtetërore nëse kanë, dhe sa kanë, në organikat e tyre punonjës që vijnë nga radhët e ish-Sigurimit të Shtetit. Sigurisht që nuk i ka kthyer kush përgjigje, e për këtë z. Tufa shprehet tepër i revoltuar në intervistat e tij. Ah po, ka një përjashtim. Z. Tufa veçon për korrektesën e vet institucionin e Kryeministrisë, që i është përgjigjur flakë për flakë kërkesës së tij për të raportuar “spiunët” e vet. Por, me siguri, z. Rama ka bërë ndonjë shaka me të. Sepse dihet që për një zgjedhje origjinale të tij, në Kryeministri punojnë vetëm të rinj që kanë lindur pas vitit 1991./ Panorama
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



