E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
I gjithëdituri naltgjatësi  kërkon burg për tërë…
Sot

I gjithëdituri naltgjatësi kërkon burg për tërë…

Ulur aty në lartësinë fronit të tij, para disa ditësh, i gjithëdituri, lëshoi rrufe ndaj kujt mundi. Lëshoi rrufe kërcënimi edhe ndaj mjekëve. I njoftoi se tani e tutje do rrezikojnë burgun për neglizhencën dhe mjekimin e pakujdesshëm. Eshtë e ditur botërisht, se i përndrituri, nuk gabon, punon shumë mirë, por janë gjithë të tjerët që nuk e bëjnë punën si duhet. Këta të fundit, po të kishte mundësi, do i ndëshkonte me fshikullimë kamzhiku në publik që ta shikonte populli se ky mendon veç për ta, ndaj ne pamundësi tund çelësa birucash. Gjithëdituria e tij na pamundëson gjithesësi të mendojmë se ai nuk e di që spitalet e Shqipërisë janë me kushte e mjete ku thërret qameti përgjithesisht (përveç dy tre përjashtimeve), se mungojnë barna esenciale për shërbimet e urgjencës, mungojnë materiale: dhe një maskë oksigjeni banale nuk gjen apo katetere veshikale, le më të kërkosh një kanule Guedel banale, CPAP është herezi ta pretendosh), por mungojnë ata që jane më të rëndesishimit, mjekët.

Sot shumë shërbime po mbahen më këmbë me mjekë pensionistë në të gjithë Shqipërinë. Syri i tij i kudondodhur s’ka gjasë të mos e ketë vërejtur se pacientet kritikë nisen nga rrethet drejt QSUT-së me ambulanca të papajisura, ku përveç bareles, oksigjenit dhe infermierit nuk kanë asgjë tjetër në bord, pa mjek (se mjekët laj thaj aq janë), dhe larg qoftë nëse këtyre pacientëve u ndodh ndonjë përkeqësim i gjendjes apo komplikacion gjatë rrugës, pasi fati i tyre është i shkruar që kur ngarkohen në keto ambulanca!

Kryenaltesia mëshireplotë duhet ta dijë se perpara se të leshojë këto rrufe, do bënte mirë të ndalte vjedhjet dhe abuzimet me sistemin e rimbursimit të ilaçeve, të punesonte në poste drejtuese të mjekesisë profesionistë që e njohin sistemin me rrenjë dhe dhëmballë, që dinë mirë ku u pikon çatia, jo militantë që interes primar kanë vetëm fasadat dhe bërjen e sa më shumë parave të pista për xhepat e tyre. Për më tepër do bënte mirë të rriste pagat e mjekëve dhe infermierëve në mënyrë substanciale, sot! Por mbase Zotit të Olimpit tiranas, këto Zotat e PPP-ve i kanë mbushur mendjen se paratë që i duhen sistemit shëndetësor për t’i ndryshuar faqen njeherë e përgjithmonë është më mirë që të kalojnë me parë përmes xhepave të tyre. Këto nuk janë neglizhenca nga ana jote Lartmadhëri, e di..aq ke mundësi aq ben o xhan.

Zotat i kënaq me PPP kurse popullit i hedh në arenën e cirkut mjekët, gati për t’u bërë mish për topin e sukseseve të Rilindjes. Mjekët le të rrinë të bëjnë sehir, si delet teksa shohin se si shoqet e tyre pakësohen dita-ditës sa herë kasapi i viziton!/ Këndi i Lolitës

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.