Inceneratorët kanë ndotur rëndë edhe median….
Nga Mentor Kikia / Për shumë vite, ndërsa politika bëhej gjithnjë e më pis, dhe shtei shytej gjithnjë e më shumë në korrupsion e paaftësi, qytetarët rrisnin besimin tek media.
Ata ankoheshin pranë saj për çdo padrejtësi, dhe kërkonin zgjidhje për shumë probleme. Kjo diktoi lindjen e një sërë programesh që “punojnë” me hallet e qytetarëve. Por hapja e kapakut të inceneratorëve, i ka dhënë një goditje të fortë edhe kësaj shtylle ku mbështetej publiku.
Lista e pagave tregonte për krijimin e një oligarkie në mesin e drejtuesve të medias dhe opinionbërjes.
Ndërsa dokumentat që po publikon së fundi media online CNA.al zbulojnë se një pjesë e mirë e mediave, televizione dhe portale, e kanë lidhur “zorrën” me pirgjet e plehrave duke u ushqyer me paratë e sipërmarrjeve që janë vënë nën akuzë qëkurse kanë hapur themelet.
Unë ndërtova një portal investigativ para disa vitesh. Afrova aty studentë të talentuar dhe nisëm të bëjmë një punë të mirë. Por nuk mbijetuam. Tregu nuk ka reklama.
Përse një kompani që menaxhon një landfill duhet të paguajë para në disa portale? Përse duhet të paguajë edhe më shumë në disa televizione?
Ato nuk publikojnë asnjë reklamë që tregon se “ky është landfilli më i mirë në Shqipëri, ndaj sillini plehrat tek ne”. Atëherë përse një biznes duhet të paguajë para në media?
Afera e inceneratorëve është një tjetër gjë, dhe afera e mediave është një gjë tjetër. Kjo mua më rëndon edhe më shumë. Këto janë ditë të zeza për median, e cila supozohet se duhet të jetë në anën e të drejtës dhe të vërtetës.
Media të njëanshme ka kudo. Media që vihen në shërbim politik të një pale, ka kudo. Por kur media korruptohet, kur shitet tek sipërmarrjet që kanë nevojë të blejnë heshtjen, atëherë një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë ka rënë.
Shoqëria është vërtet në rrezik!
P.S: Fotja eshte nje faksimile, e cila sipas CNA.al, tregon pagesat qe ka marre nje portal, nga kompania e inceneratoreve. Deri tani nuk ka patur nje reagim publik nga portali. Nje dite me pare CNA.al publikoi te dhena per nje televizion, News24, i cili serish nuk ka reaguar. CNA.al ka paralajmeruar publikimin e te tjera listepagesa per mediat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



