Integrimi europian dhe “bosët” tanë
Feti Zeneli
Integrimi europian i vendit është ëndrra më e bukur, që ka parë vazhdimisht çdo shqiptar për 27 vite me radhë, qysh nga dita e parë e rënies së regjimit komunist, teksa një popull i tërë brohoriste si në kor: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”. Por ndonëse në territorin shqiptarë jeton një nga popujt në pro-europianë të rajonit dhe qeveris një klasë politike, që përpos ndasive për çështjet e ditës e ka shpallur integrimin euroatlantik, “Yll Polar” të veprimtarisë së saj, arritja më e madhe në këtë drejtim është marrja e statusit të vendit kandidat për në BE në vitin 2014.
Tashmë, prej 3 vitesh, Shqipëria po pret që të hapë negociatat për anëtarësimin me të drejta të plota në familjen europiane, duke ushqyer shpresa të mëdha, se diçka e tillë mund të ndodhte fill pas miratimit të reformës në drejtësi dhe përmbylljes të procesit më të fundit zgjedhor, i cili u zhvillua në 25 qershor të këtij viti. Por, disa zhvillime dhe prononcime politike të kohëve të fundit nga faktori ndërkombëtar na e ngrinë buzëqeshjen e integrimit tonë në familjen europiane dhe s’dihet se kur mund të shkrijë. Samiti i Triestes, mbajtur para pak ditësh, ashtu sikurse dhe ai i Vjenës në 2015-ën, nisur nga projektet që kanë rezervuar për Shqipërinë në kuadër të “Procesit të Berlinit”, duket se integrimin e vendit tonë e kanë lënë për në fund fare.
Siç dihet, “Procesi i Berlinit” është një nismë fillestare e qeverisë gjermane dhe e Kancelares Merkel për të përshpejtuar integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nëpërmjet projekteve të ndryshme zhvilluese, kryesisht në infrastrukturë, për rritjen e potencialeve të tyre ekonomike. Konkretisht në Samitin e Vjenës, nga 24 projekte të tillë, Shqipëria përfitoi vetëm një, kurse në Samitin e Triestes vendit tonë nuk ju rezervua vetëm vlerësim i verbal i znj. Merkel “për progresin e Shqipërisë nën drejtimin e Edi Ramës”!… “Pjesën e Luanit” në të dy rastet e ka përfituar Serbia, e cila së bashku me Malin e Zi janë të parat në listën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Kjo ndoshta ka qenë arsyeja që nisma e marrë për organizimin e tregut të përbashkët rajonal u trajtua në media si tentativë për krijimin e “një Jugosllavi të re”. Nga ana tjetër, në një intervistë të këtyre ditëve për revistën serbe “NIN”, zëvendës ndihmësi i Sekretit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, ka thënë se Ballkani Perëndimor është shumë larg anëtarësimit në BE. “Prioriteti numër një duhet të jetë zhvillimi ekonomik, -tha ai për NIN. -Shumica e vendeve në rajon kanë rritur ekonominë në tre deri në katër për qind në vit, por edhe po të ketë zhvillim gjashtë për qind nuk do të arrihet mesatarja që duhet për Bashkimin Europian. Kjo nuk do të arrihet në tre dekadat e ardhshme. Mos t’i mbyllim sytë ndaj korrupsionit të politikanëve të Ballkanit, edhe pse për zgjedhjen e tyre në pushtet qytetarët janë përgjegjës”. Siç shihet, si në Samitin e Triestes, ashtu dhe në intervistën e zyrtarit të lartë amerikan; pa zhvillimin e duhur ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin me seriozitet të standardeve demokratike, nuk mund të ketë integrim të vendit në Bashkimin Europian.
Fakte e statistika të shumta tregojnë se ne kemi treguesit më negativ në çdo aspekt, që janë përkeqësuar dukshëm sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit, nën pushtetin e majtë. Përkeqësim është dhe qëndrimi në vend numëro për një mandat të plotë qeverisës, ku sipas këtyre statistikave, të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin në po atë nivel që ato kanë pasur në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas, vendin tonë. E fillojmë me rritjen ekonomike, duke kujtuar thënien brilante të Bill Clinton në fushatën presidenciale të ‘92-shit, e cila i dha atij fitoren përballë George Bush, që për momentin konsiderohej si i pamundshëm pas fitores në Luftën e Gjirit: “Është ekonomia, o budalla!”.
Kësisoj, bazuar në raportin periodik për zhvillimet rajonale, të publikuar çdo vit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, rezulton se Shqipëria renditet nga fundi në listën e gjashtë vendeve ballkanike, lidhur me treguesin e rritjes ekonomike. Rritjen më të lartë këto dy vitet e fundit e ka pasur Mali i Zi, nga 4.1 në 2015-ën, në 4.9 vitin e kaluar, e ndjekur nga Maqedonia, por edhe Kosova, rritja ekonomike e të cilave sillet për këtë periudhë midis kufijve 3.5 dhe 4 për qind. Edhe Bosnja e ka pasur nga 0.4 deri në 0.5 për qind më të lartë se ne, edhe pse jemi një vend me burime natyrore konkurruese dhe pa konflikte etnike në sfond. Po të mos ishin të ardhurat që gjenerojnë projekti TAP dhe ai i HEC-eve mbi Devoll, rritja jonë ekonomike nuk kishte për ta kaluar kufirin 2 për qind. Nivele kaq të ulëta të rritjes ekonomike, janë tepër disfavorizuese në arritjen e konvergjencës së duhur me standardet e jetesës në zonën euro, ku ne kërkojmë të integrohemi, përveçse krijojnë dhe shumë problemeve sociale. Me këtë ritëm të rritjes ekonomike, Shqipërisë, për të arritur nivelin mesatar të jetesës në Europë, mund t’i duhen jo tre dekada, sa ç’thotë Yee në intervistën e tij, por ndoshta gjysmë shekulli.
Vijmë tani tek korrupsioni, që është një gangrenë e vërtetë e ekonomisë dhe demokracisë shqiptare për gati një çerek shekulli me radhë. Sipas anketës “Jeta në Tranzicion” të Bankës Evropiane për Rindërtim-Zhvillim, zhvilluar vitin e kaluar, Shqipëria renditet si vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Raporti i BERZH, vëren se në vendet e Europës Juglindore, të anketuarit pranojnë, që pagesat korruptive janë bërë në masën 47% ndaj deputetëve, 42% ndaj zyrtarëve qeveritar, 39% ndaj pushtetit lokal dhe në masën 39% ndaj inspektorëve tatimorë. Anketa në fjalë thekson mënyrën se si korrupsioni ka gërryer besimin e njerëzve tek institucionet, kryesisht gjyqësori, qeveria dhe administrata, por ka pakësuar njëkohësisht edhe nivelin e jetesës dhe atë të kënaqësisë që mund të përfitohet nga shërbimet publike. Por efekti negativ më i paperceptueshëm prej njerëzve për korrupsionin është ndikimi i tij në uljen e rritjes ekonomike, që sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, në vendet në zhvillim, shkon gjithnjë mbi 1 për qind.
Nga ana tjetër, nëse korrupsioni është në përpjesëtim të zhdrejtë me rritjen ekonomike, me varfërinë ai është në përpjesëtim të drejtë; pra sa më shumë korrupsion aq më shumë varfëri. Jo shumë kohë më parë, Banka Botërore, si institucioni më i specializuar në botë për matjen e varfërisë, jepte shifra tronditëse për vendin tonë, kur theksonte se gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërkohë që 6.1 për qind e shqiptarëve jetojnë në mjerim të plotë, me më pak se 2 dollarë në ditë. Bazuar në të dhënat e mësipërme, nuk është e vështirë të konstatosh, se Shqipëria është vendi më i varfër i rajonit, pasi në të gjitha ekonomitë e ngjashme fqinje, familjet e tyre kanë një nivel më të lartë të ardhurash, se sa tonat. Në Bullgari, për shembull, shifra e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë është vetëm 14.8 për qind, në Serbi 14.4 për qind, në Malin e Zi 11.9 për qind, në Kroaci 9 për qind e kështu me radhë. Përveçse vendi më i varfër në rajon, Shqipëria është duke ecur më ngadalë se të tjerët në zbutjen e varfërisë, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare të BB-së tregojnë se në katër vitet e fundit, popullsia që jeton në varfëri është ulur me vetëm 1 për qind, nga 47.2 për qind në vitin 2013, në 46.2 për qind në 2016-ën. Por ndërkohë që shumica dërrmuese e qytetarëve tanë po luftojnë dhëmbë për dhëmbë me varfërinë ekstreme, për 5 dollarë në ditë, media ndërkombëtare, na ka befasuar, së fundi, me lajme nga prania shqiptare në “parajsat fiskale”.
Ka kohë që përflitet për transferime të mundshme parash të politikanëve shqiptarë në Qipro e shumë vende të tjera të botës, të cilat ofrojnë gjithashtu avantazhe fiskale e financiare, kryesisht përmes mundësimit të anonimatit dhe sekretit të lartë bankar. Ofrimi në Shqipëri i investitorëve të paverifikueshëm apo të regjistruar në kompanitë “Ofshore”; zgjidhja me “mirëkuptim” e konflikteve të biznesit me kompanitë e huaja, legalizimi i marrëveshjeve koncesionare të tipit “PPP”, të pashoqëruara me dokumentin e plotë të marrëveshjes, me tekste të paunifikuara, të papublikuara me emër të sekretit tregtar, në mjaft raste edhe të papërkthyera në shqip; mos ndëshkimi i asnjë prej nëpunësve, zyrtarëve apo politikanëve të lartë lobist për gropat fiskale të hapura nga koncesionarët dhe investitorët e kompanive mashtruese fantazmë më origjinë “parajsat fiskale”, etj., tregojnë se klientët kryesor të vendit tonë në “parajsat fiskale” nuk janë biznesmenët por politikanët shqiptarë, mirëqenia e të cilëve përmirësohet në kurriz të qytetarëve tanë, duke u shkelur njëkohësisht atyre edhe liritë e të drejtat njerëzore, deri tek përdorimi i parave të pista për blerjen e votës, siç ndodhi edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017.
Ngjarje efekte të tilla më kujtojnë thënien e Machiavelit tek vepra e tij, “Sundimtari”, ku njeriu trajtohet si “…një qenie me plotë dobësi, i pabesë, i pasigurt dhe fundja, një egërsirë”, ndaj qeveritarët “…për ta mbajtur pushtetin duhet të veprojnë, pa skrupull, pa konsideratë dhe pa mëshirë”, duke i lënë ata në mes të katër rrugëve, siç po ndodh aktualisht me qytetarët shqiptarë, të cilët enden sa në emigracionin ilegal në veprimtaritë ilegale të kultivimit të kanabisit për të siguruar mbijetesën, e ku një grusht fare i vogël i popullsisë, që sipas raportit të Credit Suisse shkon diku tek 0,5%, me pasuri nga njëqindë mijë deri në n jë milionë dollarë, na shfaqen si “bashkëpuntorë” në koncensione, tendera publik, trafiqe të paligjshme dhe mjaft afera të tjera korruptive.
Raste të kësaj natyre tek ne, s’tregojnë gjë tjetër, veçse pasurojnë eksperiencën filozofike të O’Nestlit, i cili nënvizonte në një moment të caktuar se: “Qeveria amerikane është qeverisja e popullit me anë të popullit, në interes të bosëve”. Nuk ka diskutim, që qeveri të tilla mbijetojnë vetëm në mënyrë Makaiveliste, kryesisht për llogari dhe rehati të qeveritarëve, të cilët i kanë bërë pjesë të sjelljes së tyre politike veset, që u lejojnë mbajtjen e pushtetit me dinakëri, mashtrim dhe pabesi.
Në këto kushte, çdo reformë ekonomike që ndërmerret nga qeveri të këtij standardi, rezulton e pasuksesshme, ose më mirë të themi e padobishme për pjesën dërrmuese të qytetarëve, sepse nuk rritet besim i konsumatorëve dhe sipërmarrësve në paanshmërinë apo objektivitetin e politikave ekonomike të qeverisë. Kësisoj, të varfrit bëhen gjithnjë e më të varfër, kurse të pasurit gjithnjë e më të pasur. Kompleksiteti i faktorëve apo agjentëve në zhvillimin ekonomik të vendit është i tillë, që çfarëdo reforme apo politikë publike të ndiqet, duhet të merret në konsideratë, së pari, se cilat janë nevojat e shtresave të varfra dhe jo interesat e një grushti të pasurish. Në fund të fundit, një shtet si Shqipëria që importon 2.7 miliard euro në vit më shumë sesa eksporton, ku vetëm importi i ushqimeve zë mbi 700 milion euro, burimet e rritjes i ka ende brenda vetes.
Ndërkohë që kemi nëntokën më të pasur në Europë dhe një nga më të pasurat në botë për frymë popullsie, të mbushur me naftë, krom e bakër; madje dhe me ar, argjend e minerale akoma më të rralla dhe të kushtueshme, të cilat përbëjnë potencialet e një pasurie përrallore për shqiptarët e varfër, duhet ndryshuar vetëm modeli dhe strategjia qeverisëse, për t’i dhënë një sens shprese të ardhmes, për ta bërë atë më begatë dhe më të bukur. Pra, nëse kërkohet vërtetë, që të nxirret ekonomia nga vorbulla e krizës, duhet të merren masa për tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat duhet të jenë investime të tipit “greenfield”, ose më saktë duhet të gjenerojnë punësim dhe rritje prodhimi. Nuk mund të ketë zhvillim dhe integrim të vendit, vetëm me HEC-et e Enverit dhe rrugët e Saliut. Gjithashtu duhet mbajtur parasysh, se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë nuk vjen vetëm me anë “të plotësimit të kushteve të jashtme” të integrimit europian, por kryesisht, nga zhvillimi i brendshëm i saj, duke mbajtur parasysh atë që thoshte Ciceroni dikur se: “E mira e popullit është ligji më i lartë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


