Ish-presidenti Topi: Jemi republikë kryeministrore, Rama flet për gjithçka që të mbulojë paaftësinë
Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, problematikat e krijuara ndër vite në marrëdhëniet Presidencë-Qeveri i shpjegon me mungesën e kulturës demokratike të drejtuesve politikë në vend.
Zoti President, gjatë periudhës demokratike pas viteve ’90, të rralla kanë qenë kohët e mira të marrëdhënieve Presidencë-Qeveri. Nisur dhe nga përvoja juaj, përse kjo marrëdhënie defektoze dhe joproduktive për vendin?
Ka një të vërtetë të madhe në opinionin tuaj sa u përket marrëdhënieve President-Kryeministër në vitet e tranzicionit, specifikisht pas vitit 1997. Pavarësisht emrave, të gjithë kanë hyrë në raporte të ndërlikuara, shpeshherë pa nevojë dhe kuptim. Së pari, mendoj se kjo vjen për shkak të predispozicionit karakterial, i shtrirë thellë në historinë tonë, rrjedhojë edhe e pamjaftueshmërisë kulturore për të respektuar njerëzit dhe institucionet. Koha ka dëshmuar se mungesa e besimit reciprok ka bërë që, edhe njerëz me profile të larta të bëhen qesharakë në publik dhe sidomos në rrethet e kultivuara të shoqërisë. Ata e përdorin fjalën demokraci, madje shpesh si retorikë, por janë të padisponueshëm ta respektojnë atë. Kjo marrëdhënie gati-gati e shkatërruar plotësisht pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, kur themelet e shtetit u prekën barbarisht për interesa individësh, dhe jo rastësisht autorët ishin krerët e partive kryesore, që kanë demonstruar dhe demonstrojnë ego dhe ambicie gati-gati patologjike për pushtetin e unit. Për më tepër, sesi janë hartuar nenet e Kushtetutës dhe mënyrën sesi zgjidhen emrat për deputetë, Shqipëria sipas meje, ndonëse quhet republikë parlamentare, është shndërruar de facto në një republikë kryeministrore. Këtu nuk e kam fjalën për përplasjen e fundit President-Kryeministër, por për një realitet ku fuqia politike, ekonomike dhe financiare, imponon delirin e individit dhe sundimin e tij në çdo marrëdhënie, qoftë njerëzore, ashtu dhe institucionale. Pra, për ta mbyllur, ka një kombinim dramatik të predispozicionit gjenetik tonin, me mungesën e kulturës demokratike që na çon në këtë situatë, ndryshe nga çdo vend tjetër që aspiron familjen europiane.
Nisur nga këto përplasje, mos duhet të ketë rregullime në Kushtetutë për të saktësuar kornizën e detyrave dhe kompetencave mes dy institucioneve në këtë marrëdhënie, apo mendoni se është vetëm çështje vullneti për të lexuar frymën e Kushtetutës?
Së pari, mendoj se në themelin e marrëdhënieve qëndron vullneti për t’i shërbyer së bashku Shqipërisë. Së dyti, ky vullnet është përdorur për keq. Sepse koha ka dëshmuar se pushteti ka qenë qëllimi dhe asgjë tjetër. Më thoni, a nuk e dëshmon këtë ligji i zgjedhjeve që nuk duan ta ndryshojnë?! A nuk e tregon vjedhja e votave dhe përdorimi i grupeve mafioze, qofshin me xhinse e qofshin me kollare?! A nuk e tregon këtë rënia dramatike e kapaciteteve intelektuale në Parlament dhe në institucione aq sa intelektualët dhe patriotët i numëron me gishtat e dorës?! Ndërkohë që militantizmi përcakton karrierën e zyrtarëve sot! Kjo është arsyeja, sipas meje, që Kryeministri flet sot pa pushim për gjithçka, për të mbuluar paaftësinë e të tjerëve, duke dëshmuar se administrata e tij është thjesht politike dhe e paaftë për sfidat që ka vendi. Ju me të drejtë shtroni pyetjen nëse ka nevojë për ndërhyrje në Kushtetutë, por unë mendoj se para se të përmirësohet Kushtetuta, duhet të fillojë të funksionojë Gjykata Kushtetuese, që është garanti themeltar i Kushtetutës. Më tej, secili në pozicionin e vet duhet të kuptojë se komunikimi paraprak dhe i vazhdueshëm, qoftë edhe ai konfidencial, duhet të shmangë përplasjet publike që i bëjnë keq klimës së institucioneve dhe psikozës publike. Kjo është kohë e humbur fare kot dhe vetë koha është e pamëshirë në konsumin e personalitetit të secilit prej aktorëve politikë.
Vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese për shkak të Reformës në Drejtësi. Sa e rrezikshme për garancinë juridike dhe kushtetuese të ligjeve apo dhe vendimeve të institucioneve është kjo mungesë? Mund të evitohej ky handikap?
Ajo që shoh me më tepër shqetësim, nuk është fakti që vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, më e rënda është se nuk shoh ndonjë shqetësim te Kryeministri i vendit, i cili sa herë bie fjala e quan një gjë fare të zakonshme mungesën e saj. Sipas meje, duhet të shqetësohemi shumë për mungesën funksionale të Gjykatës Kushtetuese, për më tepër për marrëdhënien problematike që ekziston midis institucioneve sot. Kurrë më shumë se sot duhej Gjykata Kushtetuese. Vërtet ndonjë politikani të lartë kjo mungesë edhe mund t’i interesojë, por kam bindjen se akumulimi i gabimeve, nesër mund të çojë në penalizime të mëdha dhe për ta. Si mund të ketë garanci juridike dhe kushtetuese kur mungon arbitri?! Natyrisht që kjo duhej të ishte evituar. Reformat duhet të bëhen për t’i forcuar institucionet. Në rastin konkret, por dhe ai i Gjykatës së Lartë, dëshmon paaftësinë e politikës shqiptare që nuk ka arritur dhe nuk po arrin dot të implementojë një reformë shumë të rëndësishme, për më tepër të përgatitur nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ajo që bie në sy në funksionimin e institucioneve shtetërore është mungesa e transparencës, jo të gjitha vendimmarrjet janë të njohura për publikun, pa folur për takimet institucionale. E shihni mungesën e transparencës si arrogancë të pushtetit ndaj qytetarëve që e votojnë apo një vijim të kulturës së partisë-shtet?
Mungesa e transparencës për publikun është tregues i një mentaliteti sundues që kanë drejtuesit politikë në Shqipëri. Ata dalin vetëm një muaj për të premtuar, janë “të dashur”, vishen thjesht, madje si ruralë të vërtetë për të marrë votat dhe në vitet që pasojnë, janë të tjerë njerëz. Atyre u duket se pushteti është fryt i investimeve të tyre dhe jo i investimit të besimit të publikut për t’u shërbyer nga ata. Bisedat gjatë ushtrimit të pushtetit ata i bëjnë vetëm në rrethe të ngushta miqsh dhe kur përplasen, siç është edhe rasti i fundit, ajo që i mungoi plotësisht ishte transparenca. Transparenca e institucioneve është detyrim kushtetues, pasi Kushtetuta nuk ka vetëm nene, por ka frymë që u imponon njerëzve të zgjedhur të japin arsyet e vërteta të vendimmarrjeve të tyre. Vota është pushtet i deleguar dhe jo një akt formal demokracie. Pa dyshim, mungesa e transparencës përkthehet si akt i arrogancës së pushtetit ndaj qytetarëve, e cila vjen si pasojë e formimit individual dhe të një psikologjie që kush është në qeveri, duhet të komandojë çdo qelizë të shtetit dhe të shoqërisë. Kur mungon transparenca rritet abuzivizmi dhe dyshimet e aktorëve mediatikë, të cilët duke qenë me shumicë dhe në interes të palëve, shtojnë kakofoninë dhe kaosin për të cilat Shqipëria nuk ka nevojë se ka me bollëk./Panorma
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



