E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Jetë!
Uncategorized

Jetë!

Ledi Shamku

Sot kisha provim me studentët e mi të Sociolinguistikës. Një nga disa sezonet (apelet) e lëndës. Nga studentët e regjistruar, më bëri përshtypje mbiemri i një vajze: Bubani. M’u kujtua menjëherë një personazh tejet i rëndësishëm i botës shqiptare, drejtuesi i parë i Radio Tiranës, Gjergj Bubani. Në doni ta njihni disi elegantin Gjergj, lexoni kujtimet e sapobotuara të Mustafa Greblleshit, një tjetër sqimatar i botës së harruar shqiptare.

Hyn studentja në provim, përshëndet dhe ulet e nis të shpjegojë si kishte punuar tezën e saj mbi zhargonet identitare të një grupi social. E mbaj vesh të folmen e saj: një “toscano” DOC, me gjithë aspirimet dhe ngjyresat krahinore “del tos’hanaccio”. Mendoj se mund të jetë homografì çështja e mbiemrit dhe vijoj e pyes më tej. Përgatitje e shkëlqyer, pasion i vërtetë për gjuhësinë! Një notë maksimale mëse e merituar!

Para se të largohet, thotë: “Prof, è strano che nessuno in classe riesca a pronunciare il suo cognome. Eppure è facile!”. Aty e pashë ngultas dhe vendosa t’i përgjigjem shqip.
Ishte stërmbesa e Gjergj Bubanit të Tiranës së viteve ’30. Personazhit që më ka mahnitur sa herë i jam avitur jetës së tij. Të cilin pa arsye e arrestuan me 13 Nëntor 1944, e dënuan si armik dhe u çmend ujrave të kënetës së Maliqit… Eh more vend i vogël, sa ajkën ta kanë kruar e hedhur matanë, eh!!!
E kështu sot gjendeshim përballë në një nga auditorët e Bolonjës unë dhe stërmbesa e Gjergj Bubanit. “Buon sangue non mente” – studente e shkëlqyer, me një talent dhe vesh për fjalën njëlloj si stërgjyshi.
I premtova t’i sillja do studime gjuhësore mbi shqipen – ka gjasa ta fitojmë një albanologe të mirë! Para se të dilte nga klasa e provimit, u kthye nga unë dhe më tha befas: Prof, po shqipja vërtet nuk ka paskajore?! – dhe aty u hap një derë e nuk e pashë më nga iku koha.

Mirë se vjen, Shqipëri e Mirë! Po ç’ne që më shpesh të takoj jashtë teje se brenda teje?!Une

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.