Jozefina Topalli “shpërthen” kundër Lulzim Bashës: Je katastrofa e PD
Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli në një konferencë për mediat akuzoi kreun e PD-së, Lulzim Basha si personin përgjegjës për humbjen e PD-së në zgjedhje.
Topalli u shpreh se Basha është “katastrofa e PD” për shkak të humbjes së madhe që i shkaktoi Partisë Demokratike në këto zgjedhje.
Ajo u shpreh se Basha ka frikë nga forumet dhe liria e mendimit në PD. “Z. Basha tmerrohet nga forumet, sepse tmerrohet nga e vërteta. Ndaj në kërkojmë një garë të barabartë, rregullua të ndershme dhe proces të vërtetë. Kërkojmë respektimin dhe përmbajtjen e statuteve”,- tha Topalli.
Topalli paralajmëroi se nëse nuk respektohet gara dhe demokracia e brendshme në PD, demokratët do të mbrojnë partinë.
“I bëj thirrje Z. Basha të ndërpresë pengmarrjen e PD-së para se të përballet me revoltën e demokratëve. U bëj thirrje gjithë demokratëve të mbrojnë partinë. Ky është vendimi i çdo strukture dhe çdo anëtari të kësaj partie. Është koha që të ngrihemi dhe të mbrojmë partinë dhe vlerat që na lidhin me këtë familje të madhe”,- tha Topalli.
Topalli akuzoi ashpër kreun e PD-së edhe për marrëveshjen e 18 majit me Edi Ramën. Ajo tha se Basha bëri ujdi për ti dhënë një tjetër mandat kundërshtarit më të madh të Partisë Demokratike.
“Gara është e rreme. Procesi bëhet anti statutor, ai po kërkon të mbajë peng partinë, dhe ti shmanget dhënës llogari…Demokratët nuk ia falin kurrë edhe sikur të manipulojë rezultatin. Basha është katastrofa e Partisë Demokratike, për taktikat e ngritura. Ai rrëzoi PD-në , dhe i dha ndihmën më të mëdha Ramës, bashkëpunëtorit të tij të natës. Ringritja e PD nis vetëm me largimin e Bashës. Ai kërkon të manipulojë procesin duke shkelur statusin dhe forumet e PD,” u shpreh Topalli.
Para se të dilte në konferencën për mediat, Jozefina Topalli ka zhvilluar sot një takim me anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët pak ditë më parë kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës.
Eduart Selami është i vetmi nga të përjashtuarit e Bashës që ka konfirmuar pjesëmarrjen në garë. Ndërkohë që ish-drejtues të forumeve dhe deputetë të PD-së e kanë cilësuar këtë garë si një farsë. Sipas tyre, gara do të quhej reale nëse kreu i PD-së do të jepte dorëheqjen nga partia dhe jo të shpallte “ngrirjen e funksioneve drejtuese” dhe zhvillimin e garës.
Gjithashtu, kritikët e Bashës shprehen se procedura që po ndiqet për zgjedhjen e kreut të ri të PD-s është në shkelje të statutit të PD-së. Brenda një muaji PD do të zgjedh kreun e ri mes Bashës dhe Selamit, por një pjesë e demokratëve shprehen se humbja e 25 qershorit ka nevojë për një analizë më të gjatë në kohë dhe zgjedhja e kryetarit duhet të shtyhet për disa muaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


