Ju tregoj nje pjesë tjetër Shqipërie…
Shqipëria, që pak dimë
Kur të rikthehet dëshira për të bërë media, sepse do të tregosh çfarë nuk arrin habitshëm në të:
Mbrëmë shijova një darkë shqiptare degustimi, ku prodhimi Made in Albania nga disa të rinj shqiptarë e italianë mbrohej e kultivohej me aq pasion, vetëm nga dëshira, mundësia e talenti i tyre, në heshtje, pa bujë, pa asnjë ndihmë nga shteti e mes andrrallave të një kaosi, që na gjen duke konsumuar produkte ‘të mbrojtura’ nga interesa financiare e politike, por të dëmshme nga mungesa e kontrrollit dhe babëzia e shfrenuar për fitim e atyre, që me përdhunë na e ‘plasin’ tregjeve tona.
Në këtë foto është Frederico, italiani i dashuruar me një shqiptare dhe shafranin e Dumresë, që e kultivon prej disa vitesh me një punë të jashtëzakonshme prej specifikave të tij, pa subvencione (edhe ato të dhëna me bujë janë aq qesharake, sa as për të ndarë pistilat femëror nga ata mashkullorë të lules së shafranit nuk shërbejnë). Se çfarë është shafrani, vlerat dhe përdorimet e shumllojshme të tij, me aftësinë e një kure të mirfilltë mjekësore për shumë patologji, i gjeni në google, do të mahniteni. Po mjaftohem me një ‘ari i kuq’ në këto radhë e mund të nisni të shfletoni e lundroni në internet tani. Vrik.
Në këtë foto është edhe Fatjoni, somelieri elegant, i talentuar, i formuar, që prej vitesh ka marrë zanatin, përvojën dhe kulturën në Itali e përpos hapjes së vinotekës Vena në Tiranë, organizon degustime dhe mbrëmje ku njerëz të panjohur mes tyre provojnë propozimet e tij, me një ngulm për t’u admiruar drejt promovimit të verërave, djathrave, mjaltit e shumë prodhimeve shqiptare. Asnjë luks i pajustifikuar andrrallash restorantesh shqiptare, në një ambjent të thjeshtë, por me një përkushtim kokfortë për të sjellë veç produktit të mirë edhe kulturën për ta njohur, zgjedhur e shijuar, për çdo shtresë. Ashtu mes konkurencës së çartur, pa rregulla, pa promovime të zhurmshme, në një kënd të Tiranës i jep mundësi edhe prodhuesve shqiptarë të gjejnë një tryezë për produktet bërë me aq mund, por në pamundësi për shpërndarje e tregje. Mbrëmë provuam verë shqiptare, me një djath prodhuesi prej Kashari, që nuk ia gjeja dot ndryshimin me atë të tryezave më të mira franceze dhe mjaltë akacieje, që megjithëse ka klimën e kushtet e duhura në Shqipëri, nuk prodhohet dot se nuk ka mbështetje për specifikat në teknika. Prodhuesi shqiptar ende nuk mbërrin dot tregun, asnjë ndihmë për të, infrastruktura aktuale si një ‘pay toll’ për rrugë të pashtruara.
Në këtë foto është Iliri, pastiçieri i Le Bon, që mbrëmë kish realizuar për herë të parë edhe çokollatat me shafran. I formuar në shkollat më të mira franceze, me orë të flet për cilësinë e produktit shqiptar, që kërkon me çdo kusht ta përfshijë në recetat dhe krijimet e tij. Sepse është produkt i freskët, mbjellë e rritur në tokë e klimë të mirë, që bota do ta donte me çdo kusht e ne as vetes nuk ia lejojmë. Me ditë të tëra mbi krijime me çokollatë, për çmime të pabesueshme në tregje ndërkombëtare, të përballueshme për çdo shqiptar këtu.
Në këtë foto është Enri i Çokos, që më tregoi pas shumë kohësh, që frekuentoj restorantin e tij për përfshirjen në menu të shafranit, në formula rishtare, të paprovuara. Deri edhe në martini dry (një kokteil me shumë gin dhe fare pak vermuth). Por edhe për aksesin ndaj produktit te freskët e cilësor shqiptar.
Në këtë foto është Arsa e bukur, aq shumë e angazhuar në shpërndarjen e shafranit shqiptar në restorantet më cilësorë në vend, por edhe në pika të ndryshme për konsumatorët, që mund të përfitojnë ‘arin e kuq’, të cilësisë së parë.
Dhe së fundmi, por jo për nga rëndësia, në këtë foto është edhe Dhurata Thanasi Daneri e Lugës së Argjendtë, një thesar grua. Kokë e mençur dhe shpirt i lirë, me një pasion të patreguar për kulinarinë. Megjithëse formuar për gjuhë-letërsi e studiuar në Cambridge, megjithëse bredhur botën krah një bashkëshorti studiues e akademik, gruaja e 1001 talenteve e pasioneve, ka gjetur ‘parajsën’ e vet, duke krijuar receta e ndërtuar mundësi ndërlidhjeje mes prodhuesve shqiptarë për një ngjallje të vetëdijes e kulturës për të ngrënë mirë e shëndetshëm. Për të mos lejuar prodhimin shqiptar të hidhet prej pamundësisë për të arritur tregun. Së shpejti do të jetë e ftuara e radhës në një nga programet më të njohura të kulinarisë në Netflix. Dhe çdo gjë e bën pa bujë, pa ndihmën e ‘reklamës’ së madhe, e pasfiduar ende nga mungesa e rregullave në një treg të çmendur. Sepse e kam punën me tokën, me natyrën, me prodhuesin e palodhur, me njerëzit, që duan të kuptojnë se ç’do të thotë të duash trupin e mendjen tënde, te thotë Dhurata. Që më fton me shumë dëshirë në ditë mbjelljesh, të korrash, në festën e vërtetë të natyrës.
Askush prej tyre nuk më kërkoi të bëja këtë status, në rrjetet e tyre në facebook e instagram kish shumë më pak followers se në ato të promovuesve të mëdhenj të çdo ‘helmi’ të kamufluar për trup e mendje. U mora leje të shkruaj për ndjesitë e ëmbla, që mora në një mbrëmje nën shoqërinë e shafranit shqiptar dhe shumë produkteve cilësore shqiptare, të cilat nëse nuk mbështeten do dërrmohen nga importi jo cilësor dhe i interesave të ngushta financiare, që nuk u bëjnë dritë sytë për stomakun tonë.
Unë këtë ndjesi të ëmbël e kënaqësi të përkorë shijeje e kam marrë edhe kur udhës për në Dardhë ndaloj tek fshatarë, që bëjnë bukë aq të mirë thekre, por edhe më ligështojnë teksa lotojnë se prodhojnë e u duhet ta hedhin se nuk kanë si e shpërndajnë; e ndjej edhe në baxhot ku bëhen bulmetra për të lëpirë gishtat, por edhe vënë duart në kokë për nga sakrifica gjer në mbijetesë e prodhueve të tyre. Siç kam gëzuar në fermën e Blerina Bombajt, ku kishin gjetur shpëtim prodhues cilësorë shqiptarë për të shitur e promovuar produktin e tyre. Nuk e di pse kamera arrin rrallë tek këta njerëz, pse media nuk i bëhet çekan mbi krye qeverisë e zyrtarëve, që nuk lënë produkt kontinentesh të largët pa na futur me dhunë në treg, duke bërë promovime subvencionesh jo ekzistente. E di mirë si një mikut tim i çuan dëm investimin e jashtëzakonshëm në një fabrikë vaji, mes ullishtave të rritura me aq kujdes e dashuri, sepse nuk ish militant partie. Siç di plot histori, që vijnë në media të porositura e mirëpaguara, herë të merituara e herë për të zezën tonë.
Por mbrëmë më mungoi puna në media, sepse aty kisha histori njerëzore, që janë harruar mes një uniformiteti informacioni, ku vështirë të dallosh programin nga programi. Ku reklama e promovimi rrotullohen në pak emra, ku showbizi e propaganda janë shndërruar në kompleksin vitaminoz të detyrueshëm. Kamerat ngulur në studio edhe sepse buxhetet ditorë nuk përballojnë dot daljet e tyre në çdo cep të Shqipërisë. Për të parë, njohur, dëshmuar ca histori të pabesueshme pasioni, talenti, përkushtimi nga ku përfitojmë të gjithë, që nga stomaku e deri tek neuronet.
Mbrëmë ndjeva sa mungon e sa më mungon media…siç thosh At Zef Pllumi, thjesht për me tregue…ndryshe përse rrojmë?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



