Kam frikë !!!
Dorina Quku
E dini çfarë? Kam frikë të rri në shtëpi, pasi deri më tani ka shkuar në 7 numri i atyre që janë vrarë në derë të shtëpisë, s`dua të jem një prej tyre.
Kam frikë të dal edhe nga shtëpia, pasi ka plot persona, skizofrenë do t`i quaja, që kanë blerë një armë dhe ia nisin të qëllojnë për ‘hesapet që ‘”nuk u del shpirti” pa i përmbushur si misione’, ose-ose edhe thjesht për qejfin e tyre, por qëllojnë ama dhe plumbi mund të kapë edhe një të pafajshëm, mund të kapë edhe dikë që del për kafe, mund të kapë edhe dikë që del të blejë bukë apo ku di unë. …
Kam frikë të udhëtoj me makinë, sepse të gjithë nxitojnë kur janë duke i dhënë makinës, thua sikur ku po shkojnë. Fundja do mbërrish një moment aty ku je nisur, sikur edhe për 5 apo 10 minuta më vonë. Por jo, preferojnë të bëjnë ‘Shumaker-in’ në rrugët e Shqipërisë, apo s`kemi dhe këto rrugë të hairit ne; (dhe as nuk po e them numrin e personave që kanë humbur jetën, këto muaj të vitit 2019, pasi ashtu më nis më keq frika).
Kam frikë kur marr për të ngrënë. Lloj-lloj sëmundjesh qarkullojnë nga ushqimet që konsumojmë dhe askush nuk e ‘vë ujin në zjarr’ për t`i kontrolluar ushqimet tona, rëndësi ka shitja, konsumimi i tyre nuk ia vlen për ta!
Kam frikë të shkoj në spital, qoftë edhe për ndonjë analizë rutinë, pasi më parë është e sigurt që do të sëmuresh më shumë, sesa pret një shërim.
Kam frikë të jetoj. Janë gjëra për t`u pasur frikë, më besoni!!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



