Kanë humbur Çili e Caci!
Policia e Shtetit e drejtuar nga Lleshi, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Marku, kanë nisur hetimet për “zhdukjen” e dy pronarëve të universiteteve të njohura private!
Sipas këtyre burimeve, thuhet se janë “zhdukur” dhe po punohet për gjetjen e Naim alias Henri Çili dhe Anastas alias Cac Angjeli!
Të dy këta biznesmenë diplomash, mësohet se për herë të fundit janë parë me ministren e Arsimit, Lindita alias Ndrikulla Nikolla, vetëm pak orë pas shpërthimit të protestave të studentëve!
Për këtë fakt, burimet thonë se Lleshi e Marku, me vetiniciativë kanë kërkuar nga vartësit e tyre që të marrin në pyetje Nikollën me cilësinë e personit, që ka dijeni për ngjarjen, pasi, dyshohet se takimi mes tyre është bërë me kërkesë të Nikollës, e cila ka kërkuar që studentët e universiteteve të tyre të mos përfshihen në protestë!
Veç kësaj, mësohet se Nikolla ka këmbëngulur që dy biznesmenët e diplomave, me ndihmën e “kazanëve” të tyre mediatikë, të mbrojnë atë dhe shefin e saj tashmë të shfryrë, nga studentët “ngelësa”, që ia kanë prishur planet e festave të fundvitit!
Burimet dyshojnë se ka qënë pikërisht kjo kërkesa e fundit, që ka bërë që dy biznesmenët e diplomave për shkak të mungesës së kushteve për të mbrojtur Nikollën dhe shefin e saj piktor, janë larguar pa lënë gjurmë!
Ndërkohë, burime të pakonfirmuara thonë se drejtuesi i një emisioni të njohur të një “kazani mediatik” ka arritur të kontaktojë me Naim alias Henri Çili, duke e ftuar në debat përballë studentëve, por ai është arsyetuar se pikërisht në këtë kohë ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale për të drejtuar dhëmbët dhe nuk mund të flasë, çka e ka justifikuar mosprezencën e tij në ekranet e “kazanëve” për të mbrojtur ligjin e Arsimit, që ai dhe biznesmenët e tjerë të diplomave e inicuan dhe e mbrojtën me fanatizëm!
Por, pavarësisht kontakteve, drejtuesi i emisionit i pyetur nga Lleshi e Marku nuk ka pranuar të tregojë për vendndodhjen e Çilit!
Ndërkohë, ndryshe ka ndodhur me Anastas alias Cac Angjeli, i cili po kërkohet edhe nga Nikolla e shefi i saj piktor, për të zhvilluar një dialog me studentët!
Mësohet se nga frika e studentëve, Caci ka udhëtuar në drejtim të Amerikës Latine me arsyetimin se do të porosiste disa ngarkesa me banane, çka ka bërë që edhe telefoni personal t’i dalë jashtë shërbimit e nga ana tjetër, edhe studentët i kanë dalë nga kontrolli!
Të ndodhur në këto kushte, Policia e Lleshit dhe Prokuroria e Markut, mësohet se do të vazhdojë kërkimet deri sa të gjenden dy biznesmenët e diplomave, për t’i dhënë përgjigje pyetjes se “çfarë mendojnë për protesten e studentëve dhe 8 kërkesat e tyre”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



