E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kanibalizmi i ‘medias’ që duhet të marrë fund
Sot

Kanibalizmi i ‘medias’ që duhet të marrë fund

Klodian Tomorri

Pashë intervistën e babait të të riut nga Lushnja që u vra dy ditë më parë në Itali. Dëgjoja si qante nga dhimbja dhe rënkonte nga pafuqia. Është një tmerr jo human. Dhjetra kamera dhe mikrofona që vërsulen mbi një prind, fëmija 23 vjeçar i të cilit sapo ka humbur jetën.

Ky është një kanibalizëm mediatik, i cili nuk nderon asnjë prej nesh që bën këtë zanat. Si pasojë e një çmendurie që buron nga ata që drejtojnë mediat, Shqipëria është sot vendi i vetëm në botë, që fut kamerat në vaki. Në ditën e mortit.

Cila është gjendja psikologjike, e një prindi që sapo ka humbur fëmijën? A duhet nxjerrë një njeri, që është goditur nga një fatkeqësi aq e madhe, e cila nuk përshkruhet dot me asnjë fjalë apo roman, përpara kamerave për të kënaqur epshin e lajmit të fundit?

Megjithatë në këtë rast, faji nuk është vetëm i mediave. Por edhe i shtetit, që integritetin e shtetasve të tij e përdhos çdo ditë. Shumica e atyre që humbin fëmijët apo familjarët e tyre jashtë shtetit, detyrohen të dalin para kamerave nga e keqja që i mbivendoset tragjedisë.

Sjellja e trupit në Atdhe kushton shumë. Dhe shumë familje nuk e përballojnë dot. Ndaj detyrohen të denigrojnë veten dhe të dalin përpara kamerave për të kërkuar ndihmë. Kjo duhet të marrë fund.

Shqipëria duhet të miratojë një ligj, që marrë përsipër me fondet e buxhetit publik sjelljen e trupave të emigrantëve që humbin jetën jashtë. Është ligj racional, që do të çlironte njerëz nga denigrimi. Dhe kjo duhet bërë tani.

Ai që është në fatkeqësi dhe në dhimbje aq të madhe nuk mund të denatyrohet dhe denigrohet më kështu siç bëjmë ne sot. Këtë nuk ta bën as armiku.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.