Karizma dhe karizmi
Altin Bamllari*

I dëgjoj shpesh këto fjalë, por i përdor pak. I dija të dyja fjalë rruge, por mësova se vetëm njëra qenka e tillë. Ndryshimi i një gërme përmbyska komplet kuptimet. Ja ç’më shpjegoi një njeri i ditur:
Karizma (charisma)” qenkësh term i teologjisë së Krishterë dhe do të thotë “nder i dhënë nga hiri i Perëndisë”, por që njëfarë Weberi (të cilin e konsiderokan si babi i sociologjisë) e përdori për të përshkruar disa njerëz të veçantë, me personalitet të dallueshëm nga të të tjerët, që shquhen nga fuqi apo cilësi të jashtëzakonshme, gati të mbinatyrshme.
Termi u përdor sidomos për Hitlerin, për forcën që kishte ky njeri për të yshtur popullin e vet në udhën e çmendurisë së tij. Ndërsa sot, për të gjithë ata që zotërojnë potencialin e duhur në arritjen e suksesit në çdo lloj karriere profesionale.
-Me një fjalë, si… dhe i rendita njeriut të ditur dy tre prej udhëheqësve tanë.
-Edhe po, edhe jo! -më ndërpreu ai.
Këta që përmende ti përfshihen më shumë tek fjala e dytë sesa te e para dhe nisi të më shpjegojë ç’është karizmi. Kjo fjalë qënkësh komplet shqiptare, një lloj neologjizmi i kohëve moderne dhe u përdorka kryesisht në zhargonin e rrugës, por edhe në komunikimin online. Për ta kuptuar më mirë, ai ma ndau fjalën në rrënjë dhe prapashtesë.
Sipas tij, karizmi u mvishet gjithë atyre që mendojnë, sillen ose veprojnë si të ishin organ mashkullor. Fjala vjen, vazhdoi ai, kur ti je ngrefur për të bërë diçka, qoftë kjo e paligjshme, e pamoralshme apo edhe sikur të kesh kundra gjithë popullin tënd, koka jote mendon fiks si ai miku dhe ti nuk pyet fare për pasojat.
Ky quhet karizëm.
-Dhe ky person quhet karizmatik, ndërhyra unë i kënaqur që e kuptova.
-Ah.. Jo, jo! -ngrysi vetullat i zhgënjyer njeriu i ditur. Po më detyron ta ndyj gojën. Ky quhet k.. Karizmatik ka të bëjë me fjalën e parë.
*(Nuk është faji i autorit ngjashmëria me persona realë që drejtojnë vendin)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



