E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kështjellat në ajër të Ludwig-ut dhe të Edi Ramës
Sot

Kështjellat në ajër të Ludwig-ut dhe të Edi Ramës

Shumë kohë më parë, teksa kam lexuar rrëfimet e mrekullueshme të Claudio Magris-it në librin e tij me titull “Udhëtim pa mbarim” , jam përballur me me figurën e sovranit të pafat e të pazot të Bavarisë, Mbretin Ludwig; një personazh tejet i ngjashëm me Kryeministrin e vendit tim. -Ludwig-u qe një arkitekt ëndrrash, të ndërtuara pikë për pikë si kështjella në ajër- kështjella e Neuschwanstein-it, që dukej si e kacavjerrë pas malit- në kundërvënie të të gjithë realiteteve të shekullit XIX, kundër racionalizmit, shkencës, teknikës, industrisë, borgjezisë, Shtetit, liberalizmit , nacionalizmit , demokracisë, socializmit.

Mania e tij për të ndërtuar, që kolegji i psikiatërve të thirrur nga qeveria e diagnostikoi si shenjë të paranojës, ishte një prodhim i pandalshëm ëndrrash, pamjesh që buronin nga thellësitë e që nuk kishin asnjë lidhje me parimet e realitetit, copëza fantazish të ngjitura bashkë pa shqetësimin për stilin apo lidhjen logjike, fluturime ëndërrimtare dhe flluska sapuni që i shkojnë në mendje gjithkujt e sidomos djelmoshave por që një mbret, i cili ka dorën e lirë në arkat e shtetit, mund t’i kthejë në gurë”.

Faqe 89

Ludwigu adhuronte kështjellën e Herrenchiemsee-së e cila gjendej mbi një ishull. E adhuronte këtë kështjellë edhe për shkak se uji që e ndante ishullin nga toka i krijonte përshtypjen e të qenit i paarritshëm nga realiteti.

Faqe 90

Ludwig-u donte që mbretërimi i tij i ëndërruar, i jetuar dhe i aktruar të ishte vetë fantazia në pushtet, domethënë fantazia poetike, anarkike, e pavlefshme për shoqërinë, e papajtueshme për interesat e shtetit.

Faqe 88

Ludwig-u vetë fliste për “ ëndrrat e djalërisë” kur me një vendosmëri të pashpjegueshme e pa e njohur realitetin, ai arrinte të gjente poezinë e zemrës; etja djaloshare për origjinalitet spërkatet gati gjithmonë prej magjepsjeve të risjella në kujtesë, prej dejavu-ve; merr zjarr nga riprodhimet dhe kopjet, këndon mallin e vet me fjalë dhe rima të huazuara në mënyrë të pavetëdijshme nga një repertor kulturor i mykur.

Faqe 94

Ludwig-ut i pëlqente të organizonte ceremoni madhështore dhe shfaqje të panatyrshme duke shpërfillur historinë dhe realitetin e kohës, edhe pse i realizonte ashtu në vetminë e tij të tërhequr, vetëm për veten ose për pak njerëz të zgjedhur dhe sigurisht jo për masat e gjera, që ai si egocentrist narcizist, i urrente , edhe kur bëhej fjalë për ato masa të përbëra nga njerëzit e tij të besuar dhe të devotshëm.

Faqe 86

Ludwig-u nuk dëshironte që kështjellat e tij të ishin të përjetshme; një ditë tha madje se pas vdekjes së tij, duhej t’i hidhnin në erë, për t’i ruajtur nga përdhosjet prej botës së jashtme të pagdhendur. Një muaj e gjysmë pas shuarjes së tij, kështjella e Neuschwanstein-it u hap për publikun me çmimin e hyrjes prej tre markash.

Faqe 89

Ludwig-u sigurisht nuk ishte i ekuilibruar dhe ekzistonte një motiv i vlefshëm për ta shfuqizuar, siç ishte shpenzimi shkatërrues i financave shtetërore, që e nxirrte zbuluar si moskokçarës e të papërgjegjshëm ndaj fatit të qytetarëve.

Faqe 96

Post Scriptum- Ludwig-u është gjithsesi më pak i rrezikshëm sesa një popull I ngritur peshë nga idetë dhe ndjenjat përparimtare.

Faqe 87

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.