E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kështu e do populli
Sot

Kështu e do populli

Në garën për bashkinë e Tiranës është bërë e modës së fundmi që të gjitha kompromiset e një grupi gazetarësh, shkrimtarësh, pedagogësh, aktorësh, këngëtarësh, opozitarësh dhe analistësh me Veliajn, t’ia varin në qafë popullit me shprehjen ” Kështu e do populli”.

Nëse populli shqiptar do ta donte kështu, nuk do të kishin emigruar 700.000 shqiptarë gjatë dy mandateve rilindase.

Jo të ashtëquajtur gazetarë. Populli nuk e do kështu. Më thoni herën e fundit kur;

– keni bërë një shkrim apo një kronikë për shkatërrimin e Tiranës.
– keni thirrur në një studio televizive një grup arkitektësh për të folur për ndërtimet pa kriter.
– keni bërë një shkrim për përdorimin e shëmtuar që Veliaj u bën fëmijëve të botës ( se djalin e tij nuk e nxjerr kurrë) për propagandën e tij duke i puthur e duke i trajtuar si dordolecë propagande..
– keni thirrur në studio përfaqësues të shoqatave për të drejtat e fëmijëve mbi këtë çështje.
– keni reaguar kur Veliaj ka fyer publikisht kategori të ndryshme të shoqërisë.

Bilanci është tragjik, pasi rezulton shumë rrallë që kronikat të jenë kundër Veliajt. Në shumicën e rasteve janë lavdëruese për të dhe në çastin që mediat lëvdojnë një realitet tragjik e përligjin këtë të fundit dhe populli e gëlltit këtë realitet si të mirëqenë, pasi ne nuk jemi vetëm çka hamë, por jemi dhe çka shohim.

Jo të ashtëquajtur shkrimtarë. Populli nuk e do kështu. Më thoni herën e fundit kur;

– keni shkruar një paragraf, ( jo një libër) mbi ngjarjet tragjike që ndodhin në këtë vend. Një paragraf për paditurinë e ethshme të kryebashkiakut dhe rrugaçërinë e pashembullt të tij. Thuhet se shkrimtari duhet të jetë dëshmitar i kohës së tij. Ç’dëshmi jepni për kohën që po jetoni?!

Jo të ashtëquajtur pedagogë. Populli nuk e do kështu. Më thoni herën e fundit kur përveç vetëdijes profesionale që parashikon kryerjen si duhet të punës suaj të përditshme keni aktivizuar edhe vetëdijen qytetare, pasi dija pa vetëdije qytetare është shkatërruese. Në botën e qytetëruar elita formëson dhe udhëheq opinionin publik mbi një çështje të caktuar.

Jo të ashtëquajtur aktorë. Populli nuk e do kështu. Më thoni herën e fundit kur i keni kujtuar kryebashkiakut shembjen e Teatrit Kombëtar apo shkatërrimin e një qyteti të tërë.

Jo të ashtëquajtur këngëtarë. Populli nuk e do kështu. Më thoni herën e fundit kur i keni kushtuar dy vargje apo një këngë realitetit tragjik shqiptar, ku një i ri vritet nga policia pastaj shpallet i vdekur nga shkaqe natyrore.

Jo të ashtëquajtur opozitarë. Populli nuk e do kështu. Më thoni herën e fundit që keni marrë mikrofonin e u keni thënë shqiptarëve; Kandidati i qelisë po u serviret shqiptarëve si kandidat bashkie.

Jo të ashtëquajtur analistë politikë. Përballë Veliajt nuk duhet një rrugaç më i madh se Veliaj, nuk duhet as një i ngjashëm me Veliaj, nuk duhet as një njeri me batuta. Nëse populli do të donte të ngjashmin e Veliajt, do të votonte origjinalin dhe jo kopjen e tij.

Përballë Veliajt duhet krejt e kundërta e tij.
Duhet një Njeri. Duhet thjesht një Njeri.

Post Scriptum- Para se të thoni ” Kështu e do populli”, pyesni veten çfarë doni ju. Populli jeni ju.

Elona Caslli

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.