Kjo është gjyqtarja detyroi qytetarin të gjykohet pa avokat
Skandali në Kukës!
Gazetari Bekim Lekica ka publikuar një audio dhe video nga Gjykata e Kukësit, duke dokumentuar një situatë të tensionuar dhe të pazakontë gjatë një seance civile. Në postimin e tij, ai shkruan:
“Skandal në Gjykatën e Kukësit: Gjyqtarja përjashton avokatin nga salla dhe e revokon nga çështja, pas debatit në seancë civile
Data e ngjarjes: 16 tetor 2025
Vendndodhja: Gjykata e Kukësit
Investigim nga: Bekim Lekica”
Sipas Lekicës, gjatë seancës për “dëmshpërblim nga marrëdhënia e punës”, gjyqtarja Ajshe Xhafa hyri në një debat të ashpër me avokatin mbrojtës të palës paditëse, duke e akuzuar se “nuk po bënte mbrojtje efektive” dhe duke bërë komente paragjykuese për profesionin e tij dhe mënyrën si funksionojnë avokatët në Kukës. Në regjistrime dëgjohet:
-
Gjyqtarja: “E di shumë mirë si funksionojnë avokatët në Kukës… Mund të të ketë përdorur pjesën që jam nga Hasi”
-
Gjyqtarja: “Për çfarë punojnë avokatët atëherë?”
Pas këtij debati, gjyqtarja urdhëroi punonjësin e policisë gjyqësore që ta nxirrte avokatin jashtë sallës, ndërprerë menjëherë përfaqësimin ligjor të qytetarit. Më vonë, ajo e revokoi avokatin nga çështja dhe i kërkoi qytetarit të vazhdojë gjykimin pa mbrojtje ligjore:
“Tash, përderisa ma përzune ti, a s’kam të drejtë ma e marrë avokatin që pata?”
“Unë revokoj me vendim, revokoj,” përgjigjet gjyqtarja.
Ekspertët e drejtësisë thonë se ky veprim nuk ka bazë ligjore. Sipas Ligjit për Avokatinë dhe Kodit të Procedurës Civile, përfaqësimi nga një avokat është zgjedhje e lirë e palës, dhe gjykata nuk mund ta revokojë pa arsye të ligjshme.
Pas ngjarjes, avokati ka depozituar ankesa pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar ndërhyrjen për sjellje të papranueshme në sallat e gjyqit dhe ruajtjen e identitetit të tij për shkak të denigrimit publik.
Gjyqtarja Xhafa nuk është hera e parë që përmendet për sjellje të papërshtatshme; në prill 2025 KLGJ i dha asaj masën disiplinore “vërejtje publike” për shkelje të rregullave të solemnitetit dhe marrëdhënieve profesionale.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë pritet të shqyrtojë regjistrimet audio të seancës, dhe nëse faktohen shkelje, KLGJ mund të vendosë masa disiplinore që variojnë nga “vërejtje e rëndë” deri në pezullim nga detyra. Juristët dhe përfaqësues të Dhomës së Avokatisë nënvizojnë se e drejta për përfaqësim ligjor është një nga shtyllat themelore të drejtësisë së drejtë dhe të paanshme, dhe ndërhyrja e gjyqtarit për ta penguar atë përbën shkelje të rëndë të etikës profesionale.
Postimi i plotë i gazetarit Bekim Lekica::
Skandal në Gjykatën e Kukësit: Gjyqtarja përjashton avokatin nga salla dhe e revokon nga çështja, pas debatit në seancë civile
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



