“Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të arthmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken ëndrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi”.
Gjatë një takimi në Pogradec, ai deklaroi se partia e tij nuk do të futet në zgjedhje parlamentare me sistemin aktual zgjedhor.
“Zgjidhja” nuk do të legjitimojë kurrë zgjedhje që përçajnë popullin tonë. “Zgjidhja” do udhëheqë luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Ne nuk do të futemi në zgjedhje që i administrojnë partitë e mëdha.
Ne nuk do të pranojmë kurrë të futemi në zgjedhje me këtë sistem. Ne nuk do t’ia besojmë kurrë numërimin dhe administrimin e votave tona Rilindjes dhe PD-së”, u shpreh Kokëdhima përpara të pranishmëve.
Duke komentuar anulimin e zgjedhjeve të parashikuar në Kavajë të dielën, Kokëdhima tha se ai e kishte paralajmëruar këtë.
“Disa herë kam deklaruar se zgjedhjet e 7 majit, dhe bashkë me to edhe zgjedhjet e 18 qershorit, janë hedhur në erë. Nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të imagjinoheshin pa opozitën, qeveritarët e Tiranës duhet ta dinë se vendi do të destabilizohet dhe do kthehet në kohën kur bandat do dilnin rrugëve. Të gjitha projeksionet ekonomike për 2017 dhe për vitet që vinë do të përmbysen. Nga një situatë e tillë do të përfitonin ata që duan destabilizimin e Shqipërisë, armiqtë e saj dhe bota e krimit dhe kriminelëve të të gjitha llojeve”-u shpreh drejtuesi i partisë “Zgjidhja”.
“Ai u përpoq të manipulojë opinionin e brendshëm dhe t’u hedhë hi syve partnerëve ndërkombëtarë vetëm e vetëm për të mos bërë reformën zgjedhore, liberalizimin e tregut elektoral dhe pastrimin perfundimtar të zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të mbajtur në këmbë zgjedhjet e manipuluara dhe pa standarde”./Pamfleti




