Koncesionari i Rruga e Kombit: tarifë maksimale, mirëmbajtje zero

Shënim
Në Rrugën e Kombit, realiteti është i thjeshtë dhe brutal: udhëtarët paguajnë, koncesionari arkëton, mirëmbajtja mungon. Çdo dimër e njëjta skenë, çdo verë e njëjta faturë. Tarifa mblidhet me disiplinë ushtarake; shërbimi ofrohet me mungesë totale përgjegjësie.
Së fundmi, rruga u kthye në një fushë akulli. Jo për shkak të motit ekstrem, por për shkak të indiferencës kronike. Fotoreporteri Felix Bilani i quan me satirë si disa “elementë me automjete të huaja”, shenjë e ndikimit borgjez sipas narrativës zyrtare, guxuan të sfidojnë ligjet e natyrës dhe të Partisë duke rrëshqitur mbi asfaltin e ngrirë. Pyetja naive u bë menjëherë: pse nuk u hodh kripë?
Përgjigjja është po aq “strategjike” sa edhe absurde: kripa ishte kursyer për gatimet e festave të ndërrimit të viteve, sipas planit të ri të kursimit. Prioritetet janë të qarta tavolina e ngrohtë, rruga e ftohtë.
Ashtu si për çdo dështim tjetër infrastrukturor, fajtori doli sërish i gatshëm: i pashmangshmi, i kudondodhuri—Saliu. Thuhet se ai fryu mbi asfalt për të krijuar ngricë, me qëllim të pengonte marshimin tonë drejt “normalitetit të groshës”. Një shpjegim komod për të mbuluar mungesën e kripës, mungesën e patrullimit, mungesën e ndërhyrjes dhe mbi të gjitha mungesën e përgjegjësisë.
Vigjilenca “revolucionare” mbërriti në vendngjarje jo për të pastruar rrugën, por për t’u shpjeguar të plagosurve se përplasja nuk ishte aksident. Ishte test vullneti proletar mbi asfaltin e ngrirë. Mos kërkoni kripë në rrugë, kërkoni kripë në ideologji. Kush rrëshqet sot, paska qenë i lëkundur dje.
Ironia mbaron këtu. Faktet janë kokëforta: paguhen miliona euro në vit për mirëmbajtje dhe mirëmbajtje nuk ka. As kripë, as sinjalistikë emergjente, as ndërhyrje në kohë, as transparencë për shpenzimet. Vetëm arkëtim i rregullt dhe rrezik i përditshëm.
I vetmi “sukses” i kësaj skeme është vjedhja dhe vetëm vjedhja. Plehër vend, ku siguria minimale mungon, ndërsa propaganda shërben si kripë për të mbuluar akullin e paaftësisë- e mbyll revoltën një qytetar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


