Kopjuan apo nuk kopjuan policët në testim?
PËLLUMB NAKO
Pyetje shekspiriane kjo, por përgjigjja për të nuk ka fare rëndësi. Njoftimi për anulimin e testimit për gradën “Komisar” është një vendim, i cili as nuk ndëshkon padrejtësinë dhe as kthen në vend drejtësinë. Është pasqyrim i kaosit që ekziston në Akademinë e Sigurisë. Dhe në një farë mënyre, Akademia është riprodhim në miniaturë i keqmenaxhimit, në të cilin ndodhet hierarkia e Policisë sot. Sezoni i konkurrimeve për gradë në Akademinë e Sigurisë zakonisht fillon mbas përfundimit të periudhës së emërimeve të niveleve më të larta klienteliste të drejtimit në radhët e Policisë. Në këto emërime kriteri bazë është ai që quhet besueshmëri. Dhe kjo e fundit, rrallëherë ose aspak ka të bëjë me aspektin profesional. Ajo që shkruhet në ligj, praktikisht kthehet me kokë poshtë. Nuk bëhet fjalë që kandidatët për poste drejtuese t’u nënshtrohen testeve dhe më pas, në bazë të rezultateve të tyre, të përzgjidhen në funksionet apo detyrat që do të kryejnë. Ndodh e kundërta. Fillimisht projektohen kandidatët mbi bazën kriterit të besimit, më pas secili prej tyre i nënshtrohet individualisht një testimi të veçantë, me program individual të reduktuar me objektiv marrjen e gradës. Dhe në fund, mëse natyrshëm postin. Pra, kopjon apo nuk kopjon, ai do ta kalojë testin. Vendimi për të është marrë. Më pas, në të njëjtën mënyrë i vjen radha dikujt tjetër i përzgjedhur edhe ai për besueshmëri, i projektuar edhe ai për post të lartë. Kush më herët e kush më vonë, një nga një e dy nga dy, të gjithë individët e kësaj shtrese fiksohen në pozicione drejtimi. Pasi të besuarit janë stabilizuar mirë, fill më pas fillon zbatimi konkret i ligjit për gradat. Këtë radhë jo kokëposhtë. Kjo sepse bëhet fjalë për grada më të ulëta se ato të cituara pak më sipër. Ndaj dhe procedurat për paraqitjen për konkurrim dhe vetë procesi i konkurrimit kryhen konform ligjit dhe rregullave. Dalja jashtë kontrollit e këtij procesi të dytë, ku ndodh shpesh që jo të besuarit dalin mirë, bën që të ndodhin përplasje ndërmjet procesit në vetvete dhe vullnetit të drejtimit. Edhe të besuarit e lartë dëshirojnë të besuarit e tyre më poshtë. Dhe radha e të besuarve vazhdon e njëjtë deri në nivelet më të ulëta. Pjesa e mbetur jashtë këtij zinxhiri që prish fillin, kthehet në shkak për anulime testesh nga drejtuesit policorë. Kanë kopjuar apo kanë qenë anëtarët e komisionit ata që u kanë treguar pyetjet klientëve të tyre, nuk ka rëndësi. Në organin, të cilit ligji i kërkon drejtësi e paanësi në ushtrimin e dhunës si e drejtë publike, në mënyrë ulëritëse i mungon drejtësia. Drejtësia dhe urdhri brenda radhëve të Policisë ndodhen shumë larg njëra-tjetrës. Kjo e rëndon më pas ushtrimin e detyrës. Ajo që ka ndryshuar është vetëm ndjeshmëria e publikut të gjerë lidhur me çështje të funksionimit të brendshëm të Policisë, në kushtet e një konteksti të ngarkuar me kriminalitet dhe polemikat për lidhjet e tij eventuale me Policinë.
Krahas tyre është edhe një pjesë tjetër, ajo që quhet e “përhershme”. Më e vogël në numër, kjo pjesë e di mirë se të tjerët janë aty se i ka zënë halli dhe në mos një herë, një herë tjetër do të largohen për t’i lënë radhën të tjerëve. E kështu pa fund. Në tërësi këta vazhdojnë mësimdhënien me programet e tyre shekullore, ku si shembull ushtrimi praktik merret ende rasti i arratisjes në një vend armik. Ata nuk janë në favor të ndryshimeve ose mbeten indiferentë për to se në fund të fundit, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe sikur Akademia të quhet Fakultet edhe sikur të quhet Patrullë e Përgjithshme. Sepse aty nuk ka asnjë ndryshim material. Vetëm në formë, kohëzgjatje dhe në marrje pozash.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



