E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kriza politike/ Guvernatori Sejko:  Kjo situatë do  të ketë pasoja negative në ekonomi
Politikë

Kriza politike/ Guvernatori Sejko: Kjo situatë do të ketë pasoja negative në ekonomi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën përmbyllëse të misionit të FMN në Shqipëri, u shpreh se ekuilibrat e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare kanë vijuar të përmirësohen.

Sejko në analizën e tij ka folur dhe për situatën politike në vend, që sipas tij mund të sjellë pasoja negative për vendin.

 

 

“Nga ana tjetër, sikundër e kemi thënë dhe më parë, balanca e rreziqeve paraqitet e zhvendosur dukshëm në kahun e poshtëm. Në veçanti, përkeqësimi i ndjeshëm i ambientit të huaj dhe tensioni i rritur politik në vend, mund të sjellin pasoja negative në ekonomi. Banka e Shqipërisë po monitoron me vëmendje zhvillimet e huaja, duke synuar të identifikojë reagimin e duhur dhe ta ndërmarrë në kohë atë. Po ashtu, ne gjykojmë se çdo përpjekje në funksion të qetësimit të situatës politike do të kontribuonte në ruajtjen e trendit pozitiv të zhvillimeve ekonomike”, ka thënë ai.

Më tej në fjalën e tij Guvernatori shton se: “ Rritja e punësimit dhe e pagave ka sjellë forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Tregjet e brendshme financiare shfaqen të qeta dhe të përshtatshme për mbështetjen e rritjes ekonomike. Këto trende zhvillimi kanë pasqyruar: (i) përmirësimin e ambientit të jashtëm; (ii) harmonizimin e konsolidimit fiskal me stimulin monetar dhe politikat e stabilizimit dhe zhvillimit të sektorit financiar; si dhe (iii) reformat strukturore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe. Sa i takon Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2018, ne kemi vijuar e madje forcuar stimulin monetar, duke ulur më tej kostot e financimit dhe duke zbutur luhatjet e tregut valutor. Në afatin e gjatë, Banka e Shqipërisë vijon të konstatojë se vendi ka nevojë për vazhdimin e reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë, përshpejtimin e ritmit të rritjes dhe të ritmit të konvergjencës me Bashkimin Evropian, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar.

Reformat strukturore duhet të vijojnë të jenë largpamëse, ambicioze dhe gjithëpërfshirëse. Ato duhet të ankorohen gjithnjë e më tepër në procesin e integrimit evropian dhe të synojnë një konsensus sa më të gjerë politik e social. Brenda fushës së saj të ekspertizës, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet një partner i angazhuar dhe serioz në çuarjen përpara të axhendës së zhvillimit të vendit.”- u shpreh Sejko.

Fjala e plotë guvernatorit Sejko:

Në vlerësimin tonë, pozicioni ciklik dhe ekuilibrat e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare kanë vijuar të përmirësohen. Zgjerimi i kërkesës agregate, i ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së konsumit dhe investimeve private, ka mundësuar ruajtjen e trendit pozitiv të rritjes ekonomike dhe shfrytëzimin gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese. Paralelisht me to, balancat e jashtme të ekonomisë kanë ardhur në përmirësim, borxhi i brendshëm është reduktuar dhe bilancet financiare të sektorit privat janë forcuar.

Rritja e punësimit dhe e pagave ka sjellë forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Megjithatë, norma e inflacionit mbetet ende nën objektiv, si pasojë e forcimit të kursit të këmbimit dhe e faktit se kërkesa agregate është ende e pamjaftueshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv.

Tregjet e brendshme financiare shfaqen të qeta dhe të përshtatshme për mbështetjen e rritjes ekonomike. Likuiditeti në sektorin bankar është i bollshëm, normat e interesit të kredive janë në nivele të ulëta dhe kursi i këmbimit paraqitet relativisht i qëndrueshëm. Po ashtu, kredia bankare ka shënuar përmirësim të ritmeve të rritjes dhe diversifikim gradual të strukturës të portofolit. Treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar – likuiditeti, kapitalizimi, përfitueshmëria – mbeten në nivele të larta, ndërsa treguesi i kredisë me probleme ka një trend të qartë rënës. Së bashku me konsolidimin në proces të sektorit bankar, ato i hapin rrugë një qëndrimi më aktiv të tij në kreditim.

 

Këto trende zhvillimi kanë pasqyruar: (i) përmirësimin e ambientit të jashtëm; (ii) harmonizimin e konsolidimit fiskal me stimulin monetar dhe politikat e stabilizimit dhe zhvillimit të sektorit financiar; si dhe (iii) reformat strukturore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe.

Sa i takon Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2018, ne kemi vijuar e madje forcuar stimulin monetar, duke ulur më tej kostot e financimit dhe duke zbutur luhatjet e tregut valutor. Po ashtu, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë:

  • ka punuar për zbatimin e planit të masave për reduktimin e kredive me probleme;
  • ka ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e programit kombëtar për rritjen e përdorimit të lekut në jetën ekonomike dhe financiare të vendit;
  • ka punuar për përmirësimin e kuadrit rregullator, të praktikave mbikëqyrëse të sektorit bankar dhe për forcimin e rrjeteve të sigurisë së sistemit financiar; si dhe,
  • ka ushtruar më tej kompetencat e veta për zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave.

Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive. Në mungesë të goditjeve, ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në afatin e mesëm, duke nxitur rritjen e punësimit e të pagave, kthimin e inflacionit në objektiv dhe përmirësimin e mëtejshëm të ekuilibrave të përgjithshëm makroekonomikë.

Materializimi i këtyre parashikimeve dhe përmbushja e objektivave tona kërkon ruajtjen e kahut aktual të politikave ekonomike: stimulit monetar, konsolidimit fiskal dhe kujdesit ndaj stabilitetit financiar. Në veçanti, normalizimi i politikës monetare do të jetë i kujdesshëm dhe intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me balancën e presioneve inflacioniste.

Nga ana tjetër, sikundër e kemi thënë dhe më parë, balanca e rreziqeve paraqitet e zhvendosur dukshëm në kahun e poshtëm. Në veçanti, përkeqësimi i ndjeshëm i ambientit të huaj dhe tensioni i rritur politik në vend, mund të sjellin pasoja negative në ekonomi. Banka e Shqipërisë po monitoron me vëmendje zhvillimet e huaja, duke synuar të identifikojë reagimin e duhur dhe ta ndërmarrë në kohë atë. Po ashtu, ne gjykojmë se çdo përpjekje në funksion të qetësimit të situatës politike do të kontribuonte në ruajtjen e trendit pozitiv të zhvillimeve ekonomike.

Në çdo rast, reagimi i Bankës së Shqipërisë nëpërmjet instrumenteve të saj kryesore: politikës monetare dhe rregullimit e mbikëqyrjes bankare, do të jetë koherent me sfidat që kemi përpara dhe konsistent me përmbushjen e objektivave tona.

Në afatin e gjatë, Banka e Shqipërisë vijon të konstatojë se vendi ka nevojë për vazhdimin e reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë, përshpejtimin e ritmit të rritjes dhe të ritmit të konvergjencës me Bashkimin Evropian, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar.

Reformat strukturore duhet të vijojnë të jenë largpamëse, ambicioze dhe gjithëpërfshirëse. Ato duhet të ankorohen gjithnjë e më tepër në procesin e integrimit evropian dhe të synojnë një konsensus sa më të gjerë politik e social.

Brenda fushës së saj të ekspertizës, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet një partner i angazhuar dhe serioz në çuarjen përpara të axhendës së zhvillimit të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.