Kush është Kryeprokurorja e re që mori 69 vota nga socialistët
Kandidatja Arta Marku është zgjedhur nga mazhoranca si Kryeprokurore e re e Përgjithshme.
Marku u votua në një situatë aspak normale për një vend demokratik.
Me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime, Marku është e dyta femër që merr në dorë organin e akuzës pas Ina Ramës.
Ajo vjen në këtë post si Prokurore e Përgjithshme, nga prokuroria e Shkodrës. Marku ka një profil të ulët publik, thuajse e panjohur.
Në karrierën e saj, për 15 vite si Prokurore Marku nuk është lakuar për asnjë çështje të bujshme.
Por si arriti Marku të marrë postin më të rëndësishëm të drejtësisë?
41-vjeçarja nga Puka, nënë e dy fëmijëve siguroi një mbështetje nga socialistët që në ditën e parë që emri i saj doli në media.
Disa media pro qeveritare, e publikuan defakto zgjedhjen e saj si kryeprokurore. Disa prej tyre kanë shkruar këto ditë se Marku gëzon mbështetjen dhe nga SHBA dhe BE.
Gjatë seancës dëgjimore, kandidatja Marku tha se nuk ishte proceduar asnjëherë gjatë karrierës së saj. Por menjëherë pas deklaratës, në media u publikuan fakte se Marku kishte marrë penalizim për shkelje disiplinore. Znj. Marku në vitin 2008 është paditur nga ministri i Drejtësisë së asaj kohe, demokrati Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj kishte zbuluar se nje i dënuar kishte vuajtur 2 muaj e 13 dite me shume burg, per arsye se dy prokuroret nuk kishin ekzekutuar vendimin penal te tij. Bëhet fjalë për prokurorët e Shkodrës, Arta Marku dhe Brahim Dragjoshi, shkruante Koha Jonë në 2008.
Në deklaratën e saj për mediat, Marku tha se postin e Kryeprokurorisë e ka dëshiruar pasi sipas saj gjendja e drejtësisë shqiptare është në ditët e saj më të këqija.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


