E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lavdrim Lita:Korrupsioni të bën të palumtur
Sot

Lavdrim Lita:Korrupsioni të bën të palumtur

 

Në takimet me diplomatë të huaj në Tiranë, politikanë në vendimmarrjen shqiptare shpeshherë pretendojnë me arrogancë se qytetarët e thjeshtë nuk i kuptojnë realisht debatet për Reformën në Drejtësi, procesin e vetingut dhe të gjithë mekanizmat e tjerë të sistemit të drejtësisë. Mund të jetë e vërtetë që qytetarët që punojnë çdo ditë nuk kanë shumë kohë të thellohen në parime kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe teknalitete të kodifikimit ligjor, por kuptojnë shumë mirë se çfarë po ndodh me rritjen e korrupsionit, krimit të organizuar dhe mosmarrjen e drejtësisë.

Në raportin e fundit të progresit të Komisionit Europian për vendet e rajonit, Shqipëria është në vendin e parë, ku fjala “korrupsion” përdoret 91 herë me konotacione të ndryshme kundrejt vendit të dytë, Kosovës, me 82 herë, Mali i Zi 81 herë, Serbisë 80 herë, Maqedonisë 64 herë dhe Bosnjë-Hercegovinës 49 herë. Raportet ndërkombëtare të gjithëpranuara reflektojnë të ashtuquajturën taksë e ryshfetit, që ndikon çdo veprimtari, edhe në lumturinë e njerëzve. Siç thotë urtia popullore, gjuha shkon ku dhemb dhëmbi.

Taksa e korrupsionit është për të fituar një konkurs publik, punë publike, shërbime në spitale, marrja e një licence e shumë të tjera – është një dëm i madh që po u bëhet qytetarëve. Korrupsioni është një vjedhje e demokracisë sepse qeveritarët nuk qeverisin duke menduar interesin publik, por interesin e pak personave.

Në 100-vjetorin e Shtetit Shqiptar, sekretarja e shtetit amerikan, znj. Hillari Klinton, deklaroi në Kuvend urgjencën për të luftuar korrupsionin, me fjalët: “Lufta kundër korrupsionit është një luftë që çdo vend duhet ta kryejë dhe ta fitojë, sepse në mbarë botën, korrupsioni është një kancer që gërryen shoqëritë. Shteron burimet, bllokon rritjen ekonomike, është mburojë për udhëheqës të paaftë dhe joetikë dhe, ndoshta më e keqja, krijon një kulturë pandëshkueshmërie që u gërryen njerëzve vullnetin për të përmirësuar cilësinë e jetës të komunitetit të tyre.”

Vendi ynë ka një rekord shumëvjeçar të pandëshkueshmërisë në nivele të larta. Megjithatë, dëbimi i të korruptuarve nga sistemi i vendimmarrjes është shumë më i rëndësishëm sesa futja e tyre në burg. Penalizimi i ashpër me heqje lirie është një mënyrë për të luftuar drejt fenomenin, por krijimi i mekanizmave parandaluese për dëbimin nga administrata publike e të korruptuarve dhe që fatura ekonomike e atij që korrupton apo korruptohet të jetë shumëfish më e madhe.

Vendi fqinj, Italia, si shumë vende të tjera, kanë krijuar mekanizma institucionalë për të luftuar korrupsionin. Një projekt për forcimin e shtetit ligjor kalon domosdoshmërisht përmes krijimit të një Autoriteti Kombëtar Antikorrupsion, si institucion i pavarur prej politikës, që të kërkojë forcimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit dhe transparencës së emërimeve, tenderave dhe gjithë procedurave në administratën e lartë drejtuese. Sido që të jetë mekanizmi që do të prodhojë shoqëria shqiptare për t’u ndeshur me korrupsionin, një gjë është e sigurt: pa luftimin e korrupsionit në nivele të larta, çelja e negociatave me BE-në dhe afrimin e investimeve të huaja do të jetë një mirazh.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.