E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Magjistratura: Një mision sekret apo publik i Drejtësisë së Re?
Sot

Magjistratura: Një mision sekret apo publik i Drejtësisë së Re?

Heshtja dhe misteri rrethon provimin e 300 kandidatëve për 17 vende. Nga skandali i “Skantronit” te korrigjuesit me lidhje politike dhe konflikte interesi, pse Shkolla e Magjistraturës po vepron në hermetizëm të plotë?

Një njoftim “lufte” pas një heshtjeje varri

Pas një periudhe të gjatë informative “në të zezë”, Shkolla e Magjistraturës ka thyer heshtjen me një njoftim të thatë: “Ka përfunduar faza e dytë e Provimit të Pranimit 2026-2027. Rezultatet do të shpallen në një kohë sa më të shpejtë.” Asnjë detaj, asnjë pamje, asnjë koment. Që prej 3 prillit 2026, faqja zyrtare në Facebook — e cila duhet të ishte dritarja e transparencës për institucionin që përzgjedh gardianët e ligjit — nuk ka postuar asnjë lajm. Ndërkohë, 300 juristë kanë garuar për vetëm 17 vende (7 prokurorë dhe 10 gjyqtarë). Kjo heshtje prej dy javësh mbi fatin e magjistratëve të vitit 2030 ka ngritur pikëpyetje të forta: A po përzgjidhen elitën e drejtësisë, apo po operohet nën “dekonspirim”?

Hija e vitit 2024: Nga “Patronazhistët” te “Skantroni”

Dyshimet nuk lindin nga asgjëja. Historia e afërt e Shkollës së Magjistraturës është e njollosur nga skandale që ende nuk kanë marrë përgjigje përfundimtare.

Skandali i vitit 2024: Lista e fituesve pësoi ndryshime drastike brenda natës (nga 70 në 140 fitues). Gazment Bardhi akuzoi drejtpërdrejt drejtuesen e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, se në listë ishin të paktën 13 “patronazhistë” të Partisë Socialiste.

Viti 2025: Një vit i kaluar nën kontroll të rreptë mediatik, ku Drejtori Arben Rakipi u fokusua te Turizmi i Kodit të Ri Penal, duke tentuar të pastrojë imazhin e dëmtuar nga skandali i makinës korrigjuese “Skantron”.

“Kush i ruan rojet?” – Emrat pas kasafortës dhe korrigjimit

Ndryshe nga vendet e Bashkimit Evropian, ku procesi është tërësisht transparent, në Shqipëri emrat e korrigjuesve dhe mbajtësit e “çelësave” të teza mbahen në diskretizim. Megjithatë, faktet flasin për një rrjet të ngushtë lidhjesh:

1. “Çelësi i Kasafortës”: Sokol Berberi, Përgjegjës i Programit të Formimit Fillestar, është njeriu që ka në dorë sekretimin e tezave. Berberi njihet botërisht si kunati i Fatmir Xhafës, një prej arkitektëve të Reformës në Drejtësi.

2. Grupi i Korrigjimit 2026:

Emrat që po vendosin fatin e 172 konkurrentëve të mbetur në fazën e dytë janë:

Arta Mandro: Pedagoge dhe anëtare e KLP-së. Djali i saj, Artili Mandro, u bë magjistrat në vitin 2021 ndërsa e ëma ishte pjesë e strukturës drejtuese të shkollës.

Artan Hajdari: Anëtar i Këshillit Drejtues dhe ortak prej 20 vitesh me Maksim Haxhian në studion “Haxhia & Hajdari”. Përveç drejtësisë, Hajdari rezulton me aksione në bizneset e energjisë (“Seman Sunpower”, “Age Kuç”) dhe bujqësi (“Fruta Bio Shqiptare”).

Idlir Peçi: Ish-zëvendësministër i Mbrojtjes dhe Drejtësisë në qeverinë “Rama”, djali i ish-ministrit socialist Spiro Peçi.

Dashamir Kore & Vangjel Kosta: Pedagogë në pension që vazhdojnë të mbajnë në dorë frenat e vlerësimit.

Klodian Kurushi: Anëtar i Gjykatës së Lartë.

Elvana Çiçolli.

Konflikti i Interesit dhe Drejtësia “ChatGPT”

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Si mundet që një person si Artan Hajdari të jetë njëkohësisht korrigjues i magjistratëve, anëtar bordi në shkollë dhe biznesmen në fushën e energjisë? Apo si mundet që anëtarë të organeve të vetingut (si KLP) të korrigjojnë nxënësit e tyre?

Në një mjedis ku rezultatet vonojnë mbi 8 ditë (një rekord negativ krahasuar me praktikat ndërkombëtare), mosbesimi publik është legjitim. Ka zëra se brezat e rinj të magjistratëve, të dalë nga këto procese hermetike, po prodhojnë vendime të hartuara me ChatGPT, duke shpërfytyruar thelbin e drejtësisë njerëzore.

Nëse Shkolla e Magjistraturës nuk del nga “bunkeri” i procedurave hermetike, Drejtësia e Re rrezikon të kthehet në një riciklim të elitave të vjetra nën emra të rinj. Për sa kohë “korrigjuesit” mbeten pjesë e vorbullës politike dhe ekonomike, besimi publik do të mbetet i “vdekur”, ashtu si rezultatet që presin në kasafortën e Shkollës së Magjistraturës.

© Publik.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.