Mallkimi shekullor mbi elitat tona të dobëta
Çapajev Gjokutaj
Elitat tona kanë qenë historikisht të dobëta dhe me ndikim të paktë. Madje shpesh kanë zhbërë veten dhe kanë kutërbuar vendin, se janë vjetëruar e kalbur, si të ishin trup pa jetë.Marrim p.sh. elitat politike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumica e rinisë nuk ndoqi elitën tradicionale, por u lidh me komunistët, që përgjithësisht nuk ishin sojlinj.
Një nga arsyet, thonë disa historianë, ishte edhe zbehja e reputacionit të elitës çifligaro-borgjeze, zbehje që kish ndodhur në dekada varfërie dhe mungese reformash demokratizuese. Sa për shembull kujtojmë stërshtyrjen e reformës agrare.
Elita politike komuniste, aq popullore në fillime, përfundoi në vitet 1970-1980 me disa figura groteske, jashtë kohe e jashtë vendi, goxha larg nivelit arsimor e kulturor të elitës intelektuale.
Në këto kushte, në vitet ‘90 Shqipëria do ta niste tranzicionin postkomunist me politikanë rishtarë. Vërtet shumë prej tyre ishin intelektualë dhe specialistë të zotë, por në politikë e filluan nga zeroja.
Tingëllon si një ironi historike fakti që sot, pas çerek shekulli tranzicion, elita politike nuk është në lartësinë e rishtarëve të fillmviteve ’90. Ka bërë goxha prapa.
Përmendet shpesh fakti që në parlamentin e parë postkomunist i vetmi deputet pa arsim të lartë isht Sabri Godo, njeri tejet i zgjuar, shkrimtar i shquar dhe njohës i mirë i përpjekjeve të Skënderbeut dhe të Ali Pashës për të qeverisur e për të bërë shtet.
Parlamenti i sotëm është mbushur me anonimë të pashkolluar ose të pajisur me diploma nga kioskat universitare, që u hapën falë ‘largpamësisë’ së politikës.
Nuk po flasim këtu për reputacionin moral të parlamentarëve dhe shtetarëve tanë. Sikur të mos mjaftonte damka e të korruptuarit, tani mbi ballin e elitës politike është shtuar edhe damka e kriminelit.
Thënë shkurt elitat tona politike, për gati një shekull nuk kanë përparuar, por janë bërë e zhbërë si të ishin qylimi i Penelopës, madje kanë bërë prapa, si të ishin karavidhe.
Dhe njeriu e ka vështirë të thotë: e gjithë kjo vjen si pasojë e një mallkimi shekullor, lidhet me varfërinë dhe prapambetjen, me mungesë traditash apo buron nga gjendja e stërzgjatur prematurë e shoqërisë tonë?
( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



