Mandati i ministres Xhaçka, reagon Bylykbashi: Asnjë deputet nuk mund të përfitojë nga pasuria e shtetit
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka folur jashtë dyerve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik nga qeveria.
Bylykbashi tha për mediat se asnjë deputet apo ministër nuk mund të përfitojë nga pasuria e shtetit dhe për këtë standarti është vendosur.
Ai tha se nëse Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë precedentët e mëparshëm dhe nuk do i heqë mandatin Olta Xhaçkës, atëherë sipas tij të gjithë bashkëshortët e deputeteve dhe ministreve do të pasurohen në mënyrë të paligjshme nga politika.
“Kushtetuta e thotë qartë, në mbrojtje të interesit publik. Asnjë prej deputetëve nuk mundet të ushtrojë aktivitet fitimprurës apo të përfitojë nga pasuria e shtetit. Dhe sanksioni për këtë është humbja e mandatit të deputetit.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur standartin për përfitimet nga politika shumë herë më të vogla se ky. Kjo pasi 2 deputetë më parë kanë humbur mandatin për gjëra shumë më të vogla.
Kjo pasi në çdo vend Kushtetuta përcakton qartë që kufijtë që ndalojnë deputetët të ushtrojnë pushtetin duke u pasuruar për vete.
Është i vetmi sanksion që ka Kushtetuta në raport me dispozitat e tjera. Kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme nga kushtetutbërësit, që pushtetmbajtësit të mos pasurohen në kurriz të pasurisë publike.
Nëse sot do të bjerë ky precedent dhe qeveria do të ushtrojë presion që ta zhbëjë atë, të 140 bashkëshortët dhe bashkëshortet e deputetëve e ministrave do të kenë mundësinë të ushtrojnë përmes kamuflimit dhe krijimit të kompanive fiktive atë që të hyjnë të varfër në pushtet dhe të dalin të pasur.
Është detyrë e Gjykatës Kushtetuese që të mbojë interesin publik. Gjykata kushtetuese është gardiani i fundit në mbrojtjen e ligjit. Ne jemi në mbrojtje të interesit publik”, u shpreh Bylykbashi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



